Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Finlanda dhe Suedia paraqitën zyrtarisht kërkesën për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë, një lëvizje e nxitur nga shqetësimet e sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Unë mirëpres përzemërsisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë”, tha sekretari Stoltenberg në një konferencë me gazetarë pas marrjes së kërkesave nga ambasadorët e dy vendeve nordike. “Kjo është një ditë e mirë në një moment thelbësor për sigurinë tone”.
Kërkesa tani duhet të shqyrtohet nga 30 vendet anëtare. Procesi pritet të zgjasë rreth dy javë, megjithëse presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka shprehur rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Nëse tejkalohen kundërshtimet e tij dhe bisedimet e pranimit rrjedhin ashtu siç pritet, të dy vendet mund të bëhen anëtarë brenda pak muajsh. Procesi zakonisht zgjat tetë deri në 12 muaj, por NATO-ja dëshiron të lëvizë shpejt duke pasur parasysh kërcënimin rus që qëndron mbi kokat e vendeve nordike.
Kanadaja, ta zëmë, thotë se pret të ratifikojë protokollin e anëtarësimit brenda pak ditësh.
Sekretari Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s “janë të vendosur të punojnë për të gjitha çështjet dhe të arrijnë në përfundime të shpejta”.
“Të gjithë aleatët janë dakord për rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Ne të gjithë jemi dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik, që duhet ta shfrytëzojmë,” u tha ai gazetarëve, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi është orientuar masivisht në favor të anëtarësimit, që kur filloi agresioni i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.
Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n. Ata kanë demokraci funksionale, forca të armatosura të mirëfinancuara dhe ndihmojnë operacionet ushtarake të aleancës./VOA