VOA: Akuza të reja ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë

May 10, 2022
min lexim

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë të martën se janë të pafajshëm ndërsa kërkuan që procesi gjyqësor ndaj tyre të fillojë sa më shpejt.

Ata i bënë këto komente gjatë një seance në Gjykatën e Kosovës për krime lufte në Hagë pas akuzave të reja ndaj tyre të ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi thanë të martën se ndjehen të pafajshëm përballë akuzave të reja të ngritura nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë.

Më 29 prill, Prokuroria e Specializuar dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare me pretendimet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe në komunën e Gjilanit dhe fshtatrat Budakovë e Semetishtë të komunës së Suharekës.

Sipas prokurorisë, krimet janë kryer gjatë periudhës së vitit 1998 dhe 1999 ndaj të paktën 12 personave.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë se janë të pafajshëm.

“Amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj por nuk kam arrit prandaj edhe nuk i kam kuptuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Hashim Thaçi.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën dhe pafajsinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Kadri Veseli.

“I kam lexuar dokumentat, aktakuzën edhe këtë shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se veprat e tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time, prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm”, tha Jakup Krasniqi.

“E kam lexuar dhe kam kuptuar dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet dhe as me akuzat e prezantuara në aktakuzë”, tha Rexhep Selimi.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020. Prokuroria e Posaçme, i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara prej saj, janë kryer midis afërsisht prillit të vitit 1998 dhe gushtit të vitit 1999 në një numër zonash në Kosovë dhe Shqipëri.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës 11 vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998–1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. /VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ademi: Për çfarëdolloj ndryshimi apo plotësimi të Kodit zgjedhor nevojitet konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak

Story i radhës

Seanca e 44-të e Qeverisë, Grubi: Miratuam vendime të rëndësishme

Të fundit nga

ShkoLartë