VMRO-DPMNE vlerëson se Qeveria gjatë dy viteve të fundit ka ndërmarrë reforma dhe investime konkrete për forcimin e stabilitetit energjetik dhe zvogëlimin e varësisë së vendit nga burimet e jashtme.
Nga partia theksojnë se një nga projektet më të rëndësishme është riaktivizimi i naftësjellësit Selanik-Shkup, pas një ndërprerjeje prej 13 vitesh. Sipas tyre, vënia e tij në funksion do të mundësojë transport më të sigurt të derivateve të naftës dhe furnizim më të qëndrueshëm.
Në kumtesë thuhet se po investohet edhe në krijimin e lidhjeve të reja energjetike me vendet fqinje. Interkoneksioni i gazit me Greqinë ndodhet në fazë të avancuar, ndërsa po zhvillohen aktivitete edhe për lidhjen me Serbinë.
Sipas VMRO-DPMNE-së, këto projekte do të mundësojnë diversifikimin e burimeve të gazit natyror, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e një tregu më konkurrues energjetik.
Nga partia bëjnë të ditur se po zhvillohet edhe modernizimi i tregut të energjisë elektrike. Përmes funksionimit të tregut brenda ditës dhe lidhjes me mekanizmat evropianë të tregtimit, vendi synon integrim më të madh në sistemin energjetik evropian.
Në kumtesë përmenden edhe reformat ligjore dhe rregullatore për harmonizimin e legjislacionit vendor me rregullat evropiane, standardet e reja për cilësinë e karburanteve të lëngshme, menaxhimi i rreziqeve në furnizimin me gaz dhe forcimi i rezervave strategjike.
VMRO-DPMNE thekson se pjesë e politikave energjetike janë edhe masat për mbështetjen e qytetarëve. Sipas partisë, për herë të parë është vendosur sistem për matjen e varfërisë energjetike, janë ndarë mbi 4.000 vauçerë për kondicionerë inverter dhe janë siguruar afro 149 milionë denarë mbështetje financiare për kategoritë e cenueshme.
Nga VMRO-DPMNE porosisin se do të vazhdojnë me investime dhe reforma që, sipas tyre, duhet të sjellin siguri më të madhe energjetike, zhvillim ekonomik dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.
përcjell Zhurnal.mk .
Burimi: lajmpress.org


