Mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, VMRO-DPMNE e cilëson si një gënjeshtër të madhe të partive në pushtet për të manipuluar qytetarët. Nëse vlerësojnë se është ditë historike, përse nuk festojnë fitoren në shesh pyesin nga opozita. Sipas tyre, realisht vetëm Shqipëria fillon negociatat ndërsa qeveria jonë, vetëm është fotografuar në Bruksel. VMRO-DPMNE këmbëngul se nuk do të pranojë që të hapet Kushtetuta, gjë që është kusht për fillimin e negociatave.
“Në Bruksel kemi dy shtete, Shqipërinë që realisht do t’i fillojë bisedimet, me hapjen e seancës ndërqeveritare dhe Maqedoninë, për të cilën do të ketë vetëm një drekë zyrtare dhe sesion të fotografive, por jo edhe fillim të bisedimeve sepse ata do të kthehen në shtëpi për t’i plotësuar kërkesat e Bullgarisë, të cilat janë parakusht për fillimin e bisedimeve.. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, në lidhje me cështjen e Bullgarisë, nuk do të ndryshohet. Kjo do të thotë se prognoza që deklaroi presidenti Pendarovski, obligimi i marrë , nuk do mund të realizohet e kjo do sjellë krizë politike e cila do të rezultojë më herët ose më vonë me zgjedhje të parakohëshme parlamentare.”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.