Vlimet politike në kazanin ballkanik

min lexim

Samiti i mbajtur i BE-së më 24 qershor, për Ukrainën dhe Moldavinë ishte e një dite historike, ndërsa për dy shtete të Ballkanit Perëndimor: për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ishte një zhgënjim, frustracion dhe lajm i hidhur. Për mos arritjen e konsensusit në BE, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor mbeten jashtë orbitës së BE-së. Në anën tjetër, Putin do të vazhdojë të ketë influencë ndaj tyre dhe kjo për Kremlinin është inkurajuese mbajtja nën tension dhe larg BE-së gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndër kritikat më të ashpra për mos dhënien e datës për negociata me BE-në, vinin nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai, për dallim nga dy liderët e tjerë, ka qenë në fokusin e medieve perëndimore, të Ballkanit dhe ato rajonale. Rama mori rolin e një lidershipi rajonal. Ai përdori një gjuhë të ashpër e jo diplomatike, më shumë do të thuhej se ishte populiste e spektakolare. Fjalimi, oratoria, stili, eleganca dhe humori i tij linin përshtypje të rremë se Rama ka fituar kredibilitet dhe reputacion në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikundër dhe në Shqipëri.

Strategjia politike e Serbisë – blerja e kohës

Pavarësisht se presidenti serb, Vuçiq, përdori retorikën e tij në atë Samit, se Serbia s’mund të mbetet një ishull i rrethuar me shtetet e BE-së dhe NATO-s, ndaj dhe ajo e ka vendin në Evropë. Ai vazhdoi të mbështetet në dy shtylla dhe të ulet në dy karrige, në atë të Perëndimit dhe të Rusisë. Sipas disa analistëve dhe ekspertëve, në dekadën e fundit, Vuçiq vazhdon të blejë kohë në strategjinë politike të tij, duke pritur se cila palë do të ngadhënjejë, për t’iu bashkëngjitur asaj.

Sipas historianit dhe diplomatit serb, ish-ambasadorit në SHBA, Aleksandar Petriç, janë dy popuj që ende vuajnë nga nostalgjia e shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe Federatës jugosllave. Në ish-Bashkimin Sovjetik, hegjemoninë dhe dominimin e kishin rusët, ndërsa në ish-Jugosllavi në atë pozitë ishin serbët. Ajo e para ishte e përbërë nga 15 republika, ndërsa kjo e dyta nga 6 sosh dhe 2 krahina autonome. Në atë federatë jugosllave, shqiptarët ishin shpërndarë në disa republika, ndërsa me popullatë ishin të tretët për nga madhësia, pas serbëve dhe kroatëve. Politika serbe frikohej nga një hegjemoni të shqiptarëve. Tito, në periudhën e Monarkisë, ishte një militant komunist, ndërsa shumica e tyre gjendej në Bashkimin Sovjetik. Në fillim ishte pinjoll i Stalinit. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia u formua sipas modelit sovjetik. Menjëherë pas luftës, Tito ishte skeptik dhe kishte një antipati ndaj Stalinit, ndaj dhe kërkonte mënyra se si t’i shkëputej, në mënyrë që pastaj ta formojë konfederatën ballkanike, ndërmjet Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndërsa Tito do të shndërrohej në një Stalin të vogël.

Ky projekt dështoi, kur Stalini vërejti se Tito po e tradhton. Kominterna e eliminoi liderin bullgar, George Dimitrov, ndërsa Hoxha dhe Tito bënin bisedime sekrete që Shqipëria t’i bashkëngjitej Jugosllavisë, si republikë e shtatë e saj, shkruante kështu disidenti komunist malazez, Millovan Gjillas, në memoaret e tij. Sipas tij, çdo shkëputje eventuale e Enver Hoxhës nga Stalini, do të bënte të ballafaqohej me tanket ruse, të cilat do të marshonin drejt Tiranës.

Rusët në epokën sovjetike arritën zenitin. Të gjitha republikat shfrytëzonin resurset e mëdha ekonomike. Por Stalini ua ndryshoi strukturën demografike të republikave, nëpërmjet kolonëve rusë, të cilët mbanin pushtetin dhe ishin në funksion të asimilimit të popujve të tjerë. Rusët ishin popull superior, gjuha e tyre ishte biblike. Ngjashëm, edhe serbët në federatën jugosllave kishin hegjemoni dhe dominim, në të gjitha republikat dhe kishin nën kontroll policinë, ushtrinë dhe financat.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik u formua Federata Ruse, ku mbi 50 milionë ishin nga etnitetet e tjera. Pas agresionit mbi Ukrainën, shumica e diplomatëve, analistëve dhe ekspertëve panë qartë se ideja e rikthimit të Bashkimit Sovjetik nuk ishte shuar. Në anën tjetër, shpërbërja eventuale e Federatës Ruse, do të mund të kishte pasoja katastrofale, me përmasa botërore, sepse është fjala për një fuqi bërthamore.

Doktrina e estabilishmentit të Kremlinit dhe të Putinit në krye, impulsi politik justifikon rikthimin e ish-republikave, në mënyrë që të rikthehet primati i mëparshëm i rusëve, që nga koha cariste, të jetë popull perandorak, për t’i mbajtur në robëri popujt e tjerë. Në kontekst të njëjtë ka qenë edhe shpërbërja e Federatës Jugosllave, që për serbët ishte një fatkeqësi, sepse mbetën të shpërndarë në katër shtete. Së këndejmi, sikurse rusët që duan t’i rikthejnë tokat e humbura të Rusisë cariste dhe Armatën e Kuqe, po ashtu edhe serbët kanë aspirata të ngjashme, duke promovuar projektin për
“botën serbe”.

Fundi i aspiratave për “Serbinë e madhe”

Pas shembjes së komunizmit dhe rrëzimit të Murit të Berlinit, Jugosllavia e Titos nuk mund të funksiononte edhe më tej si e tillë, sepse disa republika kërkonin një pavarësi më të madhe brenda një konfederate. Sllobodan Millosheviqi dhe elita nacionale komuniste ishte kundër çdo ndryshimi, për të vazhduar avazin e vjetër të periudhës së “luftës së ftohtë”. Pas shkëputjes dhe shpalljes së pavarësisë në tri republikat ish-jugosllave, Beogradi pretendoi të mbajë vazhdimësinë e Jugosllavisë së mbetur, që nënkuptonte “Serbinë e madhe”.

Sipas një projekti të Memorandumit, synimet ishin që Republika Serbe, Krahina dhe një pjesë e Kroacisë t’i bashkëngjiteshin Jugosllavisë së mbetur të Slloboda Millosheviqit. Pas dështimit të luftërave që i zhvilluan serbët, të ndarë e të përçarë, sipas projektit “Bota serbe”, mbështetur në prestigjin e Putinit dhe të Rusisë, në dy dekadat e fundit, pritej dobësimi i SHBA-së (në periudhën e Trampit) dhe përçarja e BE-së, Brexit-it, pas largimit të Anglisë, si dhe pritej forcimi i të djathtës populiste. Beogradi dhe Vuçiqi vazhduan të ulen në dy karrige, duke pritur që të tjerët të kryejnë punë për ta.

Tash, pas pushtimit të Ukrainës, Vuçiqi ka vërë bast se kush do të fitojë luftën. Nëse Putini dhe elita politike e Kremlinit do të triumfojnë në të ardhmen, Beogradi do të kalojë në taborin e gjeopolitikës euro-aziatike. Nëse Putin humb luftën, serbët do të kthehen në korpusin e politikës së BE-së. Ky është shkaku që Vuçiq vazhdon të mbetet i vetmi aleat evropian i Putinit. Për serbët është jetike fitorja e Putinit në Ukrainë. Një rikthim i Rusisë perandorake, është një shans i mirë për serbët për realizimin e aspiratave të tyre megalomane. Në të kundërtën, për të gjithë serbët, në Serbi, Republikën Serbe, Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë, do të ishte fundi i aspiratave të tyre për “Serbinë e Madhe”.

Sipas disa politikanëve, diplomatëve dhe analistëve serbë, Putin do ta humb luftën në Ukrainë, ndërsa Serbia do t’i kthehet Perëndimit dhe BE-së, por derisa presin se çka do të ndodhë, mund edhe të pësojnë rëndë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Raportet mjekësore tani do merren online/ Manastirliu: Shmangen burokracitë dhe sorollatjet

Story i radhës

Kontribues i madh i futbollit të Kosovës, Ramush Gashi: Urime 27 vjetori i gazetës “Bota sot”

Të fundit nga