Partia VLEN njofton se mbi 2,3 milionë euro pritet t’u kthehen rreth 26 mijë qytetarëve, pas konstatimit të arkëtimit të paligjshëm të parave nga 27 kompanitë e kredive të shpejta.
“ I japim fund arbitraritetit të kompanive të kredive të shpejta. Nga dhjetë qytetarë tanë, pothuajse tre kanë borxhe me kamata fajdeje.
Përmes mbikëqyrjes së përforcuar inspektuese në të gjitha 27 kompanitë e kredive të shpejta, brenda vetëm katër muajve është konstatuar se ato kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme mbi 140 milionë denarë nga 26 mijë bashkëqytetarë tanë.
Brenda një afati prej së paku 30 ditësh ose më së voni 90 ditësh, 2.3 milionë euro do t’u kthehen qytetarëve.
Kjo është edhe një fitore kundër atyre që pasurohen nga vështirësitë financiare të popullit.
Pasi i shpallëm luftë kazinove, duke miratuar një Ligj të ri dhe radikal për lojërat e fatit me të cilin në fazën e parë numri i kazinove do të zvogëlohet për 50 për qind, tani kemi filluar të merremi edhe me kreditë e shpejta.
Mbetemi të përkushtuar në luftën politike kundër dukurive devijante në shoqërinë tonë.
VLEN, si pjesë e Qeverisë do të vazhdojë edhe më tej të zbatojë politika që synojnë përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Partisë VLEN.
Burimi: alfax.mk

