Dy djem të rinj janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi kishin nisur të bëheshin shqetësim për qytetarët që dalin për t’u argëtuar në atmosferën festive të krijuar në sheshin Skënderbej.
Blutë e Komisariatit Nr. 3, në operacionin e koduar “Saga”, arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.
“Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin “Skënderbej”, pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, 3 shtetasve, gjatë ditëve të fundit.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një pistoletë false, 2 mjete prerëse (thika), sende me vlerë, të dyshuara të vjedhura dhe 3 aparate celulare”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.