Dy punonjës të Degës Postare Bajram Curri në Tropojë akuzohen për vjedhje, ndërsa ka rënë në pranga vetëm njëri prej tyre.
Në pranga ra M. Ç., 63 vjeç, banues në fshatin Llugaj dhe u shpall në kërkim Sh. D., 52 vjeçe, banuese në fshatin Shoshan, të Tropojës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë për të dy ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Për dy punonjëse të tjera të përfshira në skemë, përkatësisht Xh. V., 59 vjeçe dhe Ç. Q, 32 vjeçe, banuese në fshatin Paç, Gjykata e Tropojës vendosi masën “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan shtetasin M. Ç., 63 vjeç, banues në fshatin Llugaj, si dhe shpallën në kërkim shtetasen Sh. D., 52 vjeçe, banuese në fshatin Shoshan, Tropojë, me detyrë punonjës të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë.
Për këta dy shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila iu ka caktuar atyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë u bë ekzekutimi i masave “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të caktuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset: Xh. V., 59 vjeçe dhe Ç. Q, 32 vjeçe, banuese në fshatin Paç, punonjëse të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë”, sipas policisë.