Vizita e sotme e presidentes Dr. Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në SHBA dhe takimi me Sekretarin e shtetit për punë të jashtme amerikan, Antony Blinken, dhe nënshkrimi i marrëveshjes për programin Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, vije pas një kohe relativisht të gjatë në këtë nivel shtetëror dhe diplomatik midis dy vendeve tona. Dhe, ky takim i sotëm, pa asnjë dyshim, duhet t’i ketë gëzuar gjithë shqiptarët e Kosovës pa dallim të përkatësive partiake, sepse kur është në pyetje miqësia dhe bashkëpunimi bilateral midis SHBA-ve dhe Kosovës, predominon fakti tek te të gjithë shqiptarët, se po mos të ishte roli dhe intervenimi ushtarak i NATO-s ndaj Serbisë fashiste në krye me SHBA-të në vitin 1999, vështirë se Kosova do çlirohej nga regjimi kriminal-gjenocidial i Serbisë. Andaj takimi i sotëm në Washington i presidentes V. Osmani dhe kryeministrit A. Kurti, në Kosovë përjetohet me ndjenja të veçanta, madje si një shpresë e re se miqtë tanë amerikan nuk e paskan harruar Kosovën, siç pretendonin shumë analist dhe opozitarë në Prishtinë!
Unë, nuk dua të flas lidhur me rëndësinë dhe peshën financiare që ka marrëveshja me MCC-në për zbutjen e krizës energjetike në Kosovë, meqë nuk është fushë e imja profesionale, por ajo që është thelbësore dhe tejet e favorshme për Kosovën në këtë kohë krizash të madhe ekonomike dhe politike në Evropë, kryesisht si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, është fakti se miku ynë tradicional, siç janë SHBA-të, në çastin më të vështirë po i gjendet pranë popullit shqiptar të Kosovës, me një ndihmë të madhe financiare, e cila para së gjithash, flet për rolin dhe përkushtimin amerikan ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pavarësia e të cilës, siç dihet, është produkt i angazhimit të parezervë amerikan, pa të cilin vështirë se Kosova do çlirohej dhe bëhej shtet i pavarur dhe sovran!
Ndaj nisur gjithherë nga ky fakt, është i natyrshëm dhe shumë i kuptueshëm pro-amerikanizmi dhe miqësia e përhershme e shqiptarëve me Amerikën, siç thoshte gjithherë presidenti ynë, Dr. Ibrahim Rugova, rrugë të cilën me përkushtim po e ndjekë presidentja V. Osmani, e cila me prezantimin e saj dinjitoz politik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare të kauzës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, po rritë shpresat e shqiptarëve, se siguria dhe jeta e tyre nuk do rrezikohen më nga Serbia hegjemoniste e udhëhequr aktualisht nga ish ministri i kasapit të Ballkanit, Millosheviçit, A. Vuçiqi, i cili kurrsesi nuk po heq dorë nga pretendimet e tij fashiste ndaj shtetit të Kosovës!
Kjo për faktin, sepse nuk ka ditë që nga Beogradi zyrtar të mos vijnë nga dy-tri kërcënime ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, qoftë me kërcënime verbale, qoftë me krismë armësh afër kufirit të Kosovës në anën veriore të saj, kështu që vizita e sotme e dy krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës në Washington me A. Blinken, Sekretarin e shtetit do i shuajë, uroj përfundimisht, ambiciet e çetnikëve të Serbisë në krye me kishën ortodokse serbe, që një ditë ta sulmojnë Kosovën, ashtu siç po deklarojnë vazhdimisht dhe pa fije turpi, duke tentuar që para botës t’i fshehin krimet dhe gjenocidin e tyre të kryer para botës me 1990-1999 në Kosovë ndaj 2 milion shqiptarëve, vetëm se ishin shqiptarë!
Ndaj, i vetmi bekim i shqiptarëve është dhe do mbetet për kohë të gjatë; Rroftë miqësia e përhershme e Kosovës me SHBA-të dhe kombin amerikan!