Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 25.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, e caktuar me vendimin nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Leonardo Lama, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” e parashikuar nga neni 189/2 i Kodit Penal”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 89, datë 27.07.2024, vendosi:
Vazhdimin e zbatimit ndaj personit nën hetim Leonardo Lama, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” e parashikuar nga neni 189/2 i Kodit Penal, të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Leonardo Lama, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.