Shëndetësia është një nga shtyllat me të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve dhe kirurgët luajnë rol të rëndësishëm duke punuar për shpëtimin e jetës së pacientëve në këtë sektor.
Kështu u tha sonte në hapjen zyrtare të Kongresit të katërt Klinik të Kirurgëve të Kosovës, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ky i fundit vlerësoi faktin që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka krijuar një traditë të fuqishme të edukimit dhe shkëmbimit të përvojave mes kirurgëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Ai potencoi se roli i kirurgëve është thelbësor për një sistemi shëndetësor efikas dhe të qëndrueshëm.
Vitia: Kirurgjia ndër disiplinat më sfiduese të mjekësisë
Video:
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat që përballen profesionistët shëndetësorë në Kosovë si në aspektin e burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim të ngushtë me profesionistët shëndetësorë është e përkushtuar për të adresuar këto sfida dhe le të jetë edhe ky kongres një mundësi dhe dëshmi e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet të gjithë akterëve dhe profesionistëve shëndetësorë, sepse nuk ka rrugëtim… Kirurgjia është një nga disiplinat më sfiduese dhe më fisnike të mjekësisë… Është për t’u lavdëruar fakti se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka arritur të ndërtojë një traditë të fuqishme të edukimit dhe shkëmbimit të njohurive mes kirurgëve të rinj dhe atyre me shumë përvojë, mes atyre vendorë dhe atyre ndërkombëtar”, tha Vitia.
Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Rifat Latifi tregoi se mbi 40 kirurgë me famë botëror tashmë janë anëtarë nderi të këtij kolegji.
Latifi: Mbi 40 kirurgë me famë botërore janë anëtarë nderi të Kolegjit të Kirurgëve
Video:
“Është një nder t’iu mirëpresim në këtë ceremoni hapëse jo vetëm që feston arritjet tona të viteve të kaluara, por gjithashtu forcon premtimin tonë dhe bazat për një të ardhme më të ndritur të kirurgjisë së Kosovës. Derisa jemi mbledhur këtu, le t’i japim një moment nderimi atyre që kanë qenë para nesh, pionierëve në fushën e kirurgjisë në Kosovë që vendosën themelet dhe praktikat në edukimin tonë aktual… Ky brez i ri i kirurgëve të Kosovës dhe i gjithë populli shqiptar mban mbi vete një përmbajtje të energjisë, krijimtarisë dhe dedikimit, këta liderë vijnë nga çdo cep i botës ku ndodhen për dije të re…Kolegji i Kirurgëve të Kosovës po luan një rol të rëndësishëm në pozicionimin e Kosovës në hartën globale të kirurgjisë… Mbi 40 kirurgë me famë botërore sot janë anëtarë nderi të Kolegjit Kirurg të Kosovës”, tha ai.
Drejtori i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve nga Divizioni i Shërbimeve për Anëtarësim, Michael Sutherland tha se ky kongres ofron një platformë të pashembullt për të shkëmbyer njohuri dhe për të trajtuar në mënyrë bashkëpunuese sfidat urgjente me të cilat përballet fusha e kirurgjisë.
Sutherland: E mirëpres anëtarësimin e KKK-së në Kolegjin Amerikan të Kirurgëve
Video:
“Tema e kongresit të këtij viti, përparimet në kirurgji,.. sfidat, përqafimi i inovacionit, rezonon thellë me misionin tonë të përbashkët, për të shtyrë kufijtë e praktikës kirurgjikale dhe për të ngritur standardet e kujdesit ndaj pacientit. Kjo ngjarje ofron një platformë të pashembullt për ne për të shkëmbyer njohuri, avancime dhe për të trajtuar në mënyrë bashkëpunuese sfidat urgjente me të cilat përballet fusha jonë. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të përzemërt për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KKK) për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme dhe organizimin e këtij kongresi, dhe për mikpritjen e tyre të ngrohtë, përkushtimin e tyre për avancimin e arsimit kirurgjik, nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar…Kolegji ynë ju mirëpret në anëtarësim, dhe shpresoj se përmes angazhimit tuaj mund të themelojmë një kapitull formal të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve këtu në Kosovë. Janë tashmë katër anëtarë të ACS nga Kosova dhe mezi pres t’ju ndihmoj të gjithëve me aplikime për t’iu bashkuar ACS”, tha Sutherland.
Kirurgu i fëmijëve, Hysni Jashari tha se ky kongres paraqet një mundësi të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave për një kujdes më të mirë shëndetësor.
Jashari: Kongresi ofron shkëmbim të njohurive dhe përvojave në shëndetësi
Video:
“Ky kongres arriti qëllimet e tij në ofrimin e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave dhe ofrimin e një kujdesi më të mirë shëndetësor për pacientët tanë”, tha Jashari.
Në ceremonisë e hapjes së këtij kongresi u ndanë edhe disa çmime, si ai për Partneritet të Shkëlqyer për Universitetin e Prishtinës, Partneritet të Shkëlqyer për Ushtrinë e SHBA – KFOR – Task Force Medical – Camp Bondsteel. Ndërsa për arritje jetësore u nderuan profesionistët shëndetësorë, Avdyl Krasniqi, Burbuqe Bruqi, Agim Sharku dhe Pëllumb Karagjozi.
Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës vazhdon punimet deri më 29 shtator. Në kongres po marrin pjesë mbi 500 kirurgë nga Kosova e vendet e rajonit.