Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket integrimit në BE dhe Gjermania do të angazhohet fuqishëm për këtë. Kjo ishte porosia kryesore e kancelarit gjerman Olaf Sholc, gjatë vizitës së tij të sotme në Shkup. Ai tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria prej 2 vitesh duhej të fillonin bisedimet me BE-në dhe Brukseli duhet të angazhohet që kjo të bëhet realitet sa më shpejtë të jetë e mundur.
OLAF SHOLC, KANCELAR I GJERMANISW
“Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe unë angazhohem për pranimin e tij në BE. Prej para 20 viteve shteteve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe tani është koha që pas këtij premtimi, të vijojnë veprat. Prandaj them se Gjermania është serioze me integrimin evropian të vendeve të rajonit dhe kjo vlen veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut. BE veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut ka dhënë premtim, dhe vendi i ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski tha se vizita e kancelarit gjerman në prag të samitit të BE-së gjatë këtij muaji vjen si shenjë mbështetjeje dhe është shumë e vlefshme për vendin. Megjithatë ai theksoi c.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I RMV
“Ne nuk mund të jemi vazhdomisht peng të samiteve të BE-së, nëse do të ketë ose jo datë. Sa u përket pritjeve, siç ishte në të kaluarën, lidhur me atë se çfarë do të ndodh në ndonjë samit nuk varet nga Maqedonia e Veriut, kjo varet nëse të gjitha shtetet anëtare pajtohen dhe sjellin vendim nëse do të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare. Kjo për momentin varet nga vetëm një vend anëtar i BE-së, që po mban peng Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën për integrim në BE”.
Sholc u prit me nderimet më të larta shtetërore në Shkup, ku qëndroi për vizitë në kuadër të turneut dy ditor në Ballkan. Dje kancelari gjerman vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Bashkë me kancelarin Sholc, në Shkup ishin edhe këshilltarët e tij më të lartë për politikë të jashtme, siguri, ekonomi dhe financa, si dhe përfaqësuesi special i sapo emëruar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin. /SHENJA/