Mosgjetja e një zgjidhje të pranueshme mes Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë, ka bërë që mësimdhënësit ta vazhdojnë ditën e tetë të grevës në arsim.
Kërcënime mes deklaratash nga të dyja palët, megjithatë asnjëra palë nuk po lëshon pe. Nga Qeveria thonë se është formuar një grup pune nga ministrat kompetentë për të nisur procesin për negociata për marrëveshje kolektive me sindikatat përfaqësuese dhe për metodologji për rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, pret që të pranohet ky konkluzion i Qeverisë. Shaqiri vlerëson se nëse arsyeja e refuzimit të rritjes prej 10%, është se ka qenë premtim gojor, tani oferta është me shkrim.
Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit
“Shpresoj dhe duhet të ketë një vendim në favor të fëmijëve. Përkundër mosmarrëveshjes së tyre me situatën, pres që do të ketë mësime dhe do të vazhdojmë me negociatat. Nëse SASHK vendos sërish për grevë, ne si ministri do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për realizimin e mësimit. Të dhënat për gjendjen reale do të mblidhen nesër, do të shohim pas të martës”.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës Jakim Nedellkov, theksoi se do ta shqyrtojnë këtë ofertë dhe shtoi se mësimdhënësve po u bëhet presion i madh, sidomos për atë se nuk do tu paguhen mëditjet ditore gjatë grevës.
Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut
“Sindikata do t’i mbrojë të drejtat e puntorëve dhe të anëtarëve të vetë, si dhe të punëtorëve që nuk janë anëtarë të SASHK-ut, por i janë bashkangjitur grevës. Praktika nga vitet e kaluara ka qenë se pas përfundimit të grevës, në marrëveshje me MASH nuk është bërë shkurtim i pagave”.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ‘kërcënon’ grevistët se, nuk do t’u jepen pagat edhe pse thotë se nuk bëhet fjalë për presion, as për shantazh, por për respektim të Ligjit për marrëdhënie të punës dhe marrëveshjes kolektive.
Jovanka Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale
“Marrëveshja kolektive përcakton qartë se çfarë ka në rast greve dhe çfarë detyrohet punëdhënësi. E njëjta gjë përcaktohet edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thotë se në kushtet e grevës punëdhënësi është i obliguar që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë t’u paguajë kontributet në bazën më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni tjetër i ligjit, 241, i jep mundësi SASHK-ut që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë të paguajë neto”.
Mes Sindikatës dhe Ministrisë janë mbajtur disa takime, por nuk kanë qenë të frytshme, gjë që ka çuar që arsimi të jetë në grevë. Për ditët e grevës që nuk është zhvilluar mësim, ministri i Arsimit ka paralajëmruar se orët e humbura duhet të kompensohen. Emine Ismaili /SHENJA/