(VIDEO) Gashi: Integrimi, drejtësia, familja…mbeten përparësi për 4 vitet e ardhshme

min lexim

Partia Alternativa po mban sot kongresin e parë zyrtar të partisë ku do të përcaktohet rrugëtimi politik i kësaj partie në 4 vitet e ardhshme. Kongresi zgjedh sot kryetarin e partisë, Kuvendin Qendror, Programin dhe Statutin e partisë. Në fjalën e tij në pjesën solemne të Kongresit, kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se integrimi, drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe familja janë prioritetet e partisë së tij edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm.

AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Shifrat alarmante të qytetarëve tanë jorezidentë dhe fotografitë e autobusëve që çdo ditë dërgojnë qytetarët në mërgim, janë sinjale dëshpëruese se për ne, se ne nuk kemi arritur të gjejmë zgjidhje që ata njerëz të realizohen në vatrat e tyre familjare. Kjo është aryeja që Alternativa nuk do të heq dorë nga kërkesa që rrogat të jenë në rritje të vazhdueshme, ndërsa për ne partitë politike duhet ta shpallim idealin më të lartë krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin publik dhe privat. Vetëm nëse arrimë t’i mbajmë njerëzit këtu ka kuptim edhe flamuri, emri, gjuha dhe historia”.

Gashi shpjegoi edhe vendimin për t’iu bashkuar Qeverisë dhe marrëveshjen bashkëqeverisëse. Sipas tij, për pikat që kanë mbetur pa u realizuar ka gatishmërinë e Qeverisë për t’i realizuar menjëherë, por po presin momentin e përshtatshëm për të siguruar zbatim cilësor.

AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Kur flasim për këtë marrëveshje dua t’ju them se e kemi mirëkuptimin e Qeverisë për t’i plotësuar të gjithë ato pika. Ne gjithnjë kemi kërkuar një moment të volitshëm për t’i vendosur ato në rend dite. Kur do që do të mbahen zgjedhjet ne do të japim llogari për cilësinë dhe sasinë e realizmit të asaj marrëveshje”.

Ndërkaq, sekretari organizativ i partisë dhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se përgjegjësia për të drejtuar një ndër sektorët më të vështirë dhe më të ndjeshëm në kohë pandemie ia ka vlejtur, pasi menaxhimi i tyre ka sjellë rregull në institucionet shëndetësore.

BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Nuk kalon ditë që ndonjë pacient të mos më shkruaj një falënderim se falë punës tonë jeta e tij ka marrë të mbarën. Natyrisht, këtë nuk e kam pranuar kurrë si meritë personale. Sepse aty janë mjekët dhe personeli tjetër që e bën punën kryesore. Por nëse ne sot, duke menaxhuar ministrinë më të ndjeshme, edhe në kushte të pandemisë, ne kemi mundësi të ndihmojmë për t’ia lehtësuar jetën dikujt, mendoj se gjithë ky rrugëtim politik ia ka vlejtur”.

Në kongres kishte mysafirë nga shumica e partive parlamentare në vend, mysafirë nga Shqipëria e Kosova si dhe përfaqësues të disa ambasadave. Pas përmbylljes së pjesës solemne, kongresi vazhdon punën në ambient të mbyllur. Kryetari Afrim Gashi do të rikandidohet sërish, ndërsa para mediave tha se kanë krijuar kushte për betejë të barabartë për cilindo kundërkandidat për postin më të lartë në parti.  /SHENJA/

 

Story i mëparshëm

Osmani: Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s

Story i radhës

Malisheva fiton në Gjilan, Drenica e fortë për kampionin

Të fundit nga