16 vjeçari i cili u gjet i vdekur të enjten tek Banja e Tetovës ka rezultuar pas obduksionit të kryer në Shkup se është vrarë nga e dashura e tij. Sipas informacioneve e dashura e tij 17 vjeçare nga fshati Rogle ka pranuar që ka qenë bashkë me 16 vjeçarin që humbi jetën në veturë ku kanë pasur një zënkë e cila ka përfunduar në fatalitet.
Zëdhënësi i sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi ka njoftuar se një 17 vjeçare gjatë ditës së djeshme në bisedë zyrtare me policinë ka pranuar veprën e vrasjes së 16 vjeçarit i cili është gjetur i vdekur në rrugën drejt banjave të Tetovës. Rexhepi njoftoi se gjykata tashmë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 17 vjeçares.
FATMIR REXHEPI ZËDHËNËSI I SEKTORIT PËR PUNË TË BRENDSHME NË TETOVË
“Dje rreth orës 07:00 në rrugën për në banjën e Tetovës, gjegjësisht në ujërat e lumit Shkumbin u gjet trupi i pajetë i një 16 vjeçari, gjatë ditës së djeshme në stacionin policor të Tetovës janë thirrur 2 të mitur, prej të cilëve njëra është vajzë 17 vjeçare, që ka pranuar se është kryerëse e veprës, kështu që pas dokumentimit të plotë të rastit gjykatësi në procedurën paraprake në gjykatën themelore Tetovë ka caktuar masë paraburgimi në afat prej 30 ditësh, e njëjta është dërguar në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e paraburgimit”.
Nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë njoftuan se në gjykatën kompetente kanë dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore kundër personit i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes nga neni 123 paragrafi 1 i Kodit Penal.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE TETOVË
“Vajza e dyshuar 17-vjeçare i ka marrë qëllimisht jetën një djali 16-vjeçar. Pas një debati verbal në makinë në afërsi të vendit të quajtur “Banjiçe”, ajo e ka goditur disa herë me mjet të mprehtë në kokë viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën. Më pas ajo e ka hedhur në lumin Shkumbin dhe personi është gjetur i vdekur në lum. Prokurori publik kompetent ka dorëzuar në Gjykatë propozim për caktimin e masës së paraburgimit”
Përndryshe, mëngjesin e djeshëm (22 dhjetor) trupi i pajetë i 16 vjeçarit u gjet në ujërat e lumit “Shkumbin” në Tetovë, afër Banjës së qytetit, i njëjti një ditë përpara ishte raportuar si i zhdukur.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/