Pas shumë punësh, dhe pritje më në fund Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Miratimi i këtij ligji është nevojë kruciale për Kosovën për t’u shkëputur nga e kaluara, nga kapja e shtetit. Krejt kjo vjen pasi me të marr mandatin qeveria e re e Kosovës, pati miratuar koncept-dokumentin që do të mundësonte konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kështu, Ministrisë së Drejtësisë, tash i është hapur rruga të nis hartimin e ligjit të njohur si antimafia.
Pasuria, përmes këtij dokumenti mund t`iu konfiskohet të gjithëve, prej qytetarëve të thjeshtë, liderëve politikë e institucional, e deri edhe zyrtarëve të tjerë të zgjedhur në institucione të ndryshme të rëndësishme, ATK, Polici, Doganë, FSK e AKI. Madje kjo mund të bëhet pa e pritur fare aktgjykimin dënues. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka premtuar se së pari do të bëhet vetting tek gjykatësit dhe prokurorët.
Besoj se konfiskimi duhet të bëhet edhe tek procesi i privatizimit, një proces krejtësisht korruptiv dhe zhvatës. Përmes këtij procesi tokat janë blerë edhe nga 0.50 deri në 1 euro ari, e nga kjo nuk kanë përfituar qytetarët dhe as shteti, por njerëz të lidhur me politikën. Pikërisht këta njerëz pastaj të njëjtën tokë e kanë shitur me çmim 500 herë më shtrenjtë, duke rezultuar kështu një skemë korruptive, nga e cila pasuria e vendit është përdorur si mjet për t’u pasuruar.
Në kuadër të koncept dokumentit, që duhet të bëhet edhe ligji, duhet të futet edhe përvetësim i të gjithë atyre që pasurinë e kanë fituar përmes kësaj skeme. Nëse qeveria nuk konfiskon pasurinë e njerëzve të fuqishëm të politikës, atëherë konfiskimi i pasurisë do të jetë gjysmak, me destinim për të dështuar. Edhe pse konfiskimi i pasurisë së “peshqve të mëdhenj” vështirë të ndodh, pasi ata pothuajse asgjë nuk kanë në emrin e tyre, disa paratë i kanë në vende të largëta afrikane. Klani “Pronto” duhet t’i frikësohet miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Klani “Pronto” komplet duhet të jetë cak i konfiskimit të pasurisë, aty është e keqja e madhe. Këtij ligji duhet t’i frikësohen ata që kanë zhvatur këtë vend tani e 20 vjet. Para kësaj duhet bërë reforma në drejtësi, Vetting në drejtësi pasi me prokurorë të klanit “Pronto” zbatimi i këtij dokumenti që do bëhet ligj është vështirë të zbatohet. Kjo është baza e parë dhe kryesore për të shkëputur vendin nga e shkuara e errët.