vetem po do te thote po votim ne parlamentin evropian 69f07f9e8b04d

Vetëm “Po” do të thotë “Po” – votim në Parlamentin Evropian

April 28, 2026
min lexim

Për Maria Noichl, deputete e SPD‑së në Parlamentin Evropian, çështja është shumë e qartë: “Përdhunim nuk është vetëm atëherë kur gruaja ka bërtitur me zë të lartë ‘Jo’, por – dhe kështu dëshirojmë që kjo të vendoset si bazë në të ardhmen – përdhunim është gjithmonë atëherë kur nuk ka një konsensus të qartë.”

Sepse: “Vetëm ‘Po’ do të thotë ‘Po’” – ky është thelbi i nismës me të cilën Parlamenti Evropian dëshiron ta nxisë Komisionin që të paraqesë propozime konkrete për një përkufizim të unifikuar dhe ligjërisht të detyrueshëm të përdhunimit në të gjithë BE‑në. Një përpjekje e parë, rreth tre vjet më parë, dështoi. Tani është pikërisht koha e duhur për një përpjekje të re, mendon socialdemokratja Noichl. “Gjithnjë e më shumë debate, rasti i Gisèle Pelicot nga njëra anë, por edhe raste në Gjermani, na tregojnë se grupe burrash madje e shfrytëzojnë me vetëdije faktin që gratë nuk janë në gjendje të mbrohen, për të kryer përdhunime.”

Dallime të mëdha brenda Evropës

Në shumë vende evropiane tashmë vlen parimi “Vetëm ‘Po’ do të thotë ‘Po’”. Pioniere ishte Suedia në vitin 2018; ndërkohë janë bashkuar edhe vende të tjera të BE‑së: për shembull Italia, Greqia, Danimarka dhe Belgjika. Së fundmi, në vjeshtën e vitit të kaluar, kështu vendosi edhe Franca, pasdëshmive tronditëse të Gisèle Pelicot.

Nisma e Parlamentit Evropian e shoqëruar me një raport më vete, tregon se sa ndryshon mbrojtja e viktimave të përdhunimit në Evropë, vlerëson eurodeputetja demokristiane Verena Mertens. “Për mua, tani është e rëndësishme të ruhet ekuilibri: nga njëra anë të ketë më shumë mbrojtje për viktimat, por pa e bërë të paqartë ose të vështirë për t’u zbatuar të drejtën penale.”

Pikërisht këtë – pra frikën se e drejta penale mund të bëhet e paqartë ose e vështirë për t’u zbatuar në një situatë ku ndoshta bëhet fjalë vetëm për deklaratë kundër deklarate – e theksojnë kritikët e nismës. Grupi i PE “Patriotët për Evropën”, grupi i tretë më i madh në Parlamentin Evropian, nuk do të votojë pro saj. Ky është grupi i Rassemblement National të Marine Le Pen dhe i Fidesz‑it të Viktor Orbánit; deputetë gjermanë nuk ka në këtë fraksion.

Standarde të njëjta edhe si sinjalizim

Përdhunimi duhet dënuar, thotë Marieke Ehlers nga Holanda, por një harmonizim evropian i një koncepti juridik nuk është aspak përgjigjja e duhur. “Sigurisht që konsensi duhet të jetë në qendër të kësaj. Por reduktimi i tij në një kërkesë të përhershme, të ngjashme me një kontratë, të çon në një terren juridik që do të ngatërronte edhe profesorin më me përvojë të juridikut”, thotë Ehlers.

Demokristiania Verena Mertens e sheh si veçanërisht të rëndësishme krijimin e standardeve të njëjta në të gjithë Evropën. Nuk duhet të ketë rëndësi se në cilën anë të kufirit jeton dikush. “Vendimtare është tani që të prekurit, kudo në Evropë, të mund të kenë besim se do të merren seriozisht dhe do të mbrohen.” Kjo, sipas Mertens, është një sinjal i rëndësishëm për shoqërinë – për gratë dhe burrat. / DW

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

apeli i gjkko le ne fuqi pafajesine e ish gjyqtarit shkelzen selimi 69f07f52ac8e1
Lajmi i mëparshëm

Apeli i GJKKO lë në fuqi pafajësinë e ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi

pas 5 muajsh kim kardashian dhe lewis hamilton me te afert se kurre 69f081026284d
Lajmi i radhës

Pas 5 muajsh, Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton më të afërt se kurrë

Të fundit nga

ShkoLartë