Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që ka shpallur të pafajshëm ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar), sot më 28.04.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12/77 akti, datë 24.12.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 48, datë 07.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka deklaruar të pafajshëm të pandehurin Sh.S dhe vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 48, datë 07.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në apel mbeten siç janë kryer. U shpall në Tiranë, më datë 28.04.2026.
Shkëlzen Selimi shpallet i pafajshëm për fshehje pasurie
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 7 korrik 2025, deklarimin e pafajshëm të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë për akuzën e fshehjes së pasurisë – një çështje e ngritur nga SPAK rreth 4 vjet më parë.
Në tetor të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim çështjen ndaj Selimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Burimi: botasot.info


