Sigurisht që çdo familje përballet me situata të ndryshme, të cilat mund të jenë të vështira dhe tepër sfiduese. Ndodh që ndonjëherë këto situata të jenë të pamenaxhueshme dhe mund të lënë gjurmë në historikun dhe mirëqenien psiko-emocionale të familjes. Pikërisht në këtë moment, Terapia Familjare kthehet në një“urëlidhëse” mes anëtarëve të familjes.
American Psychological Association qartëson se Terapia Familjare është një formë e psikoterapisë që fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfamiljare dhe të modeleve të sjelljes së njësisë familjare si një e tërë, si edhe midis anëtarëve individualë dhe grupeve, ose të nënsistemeve brenda familjes.
1. Një arsye pse Terapia Familjare është zgjidhja e duhur për familjen tuaj, është në rastet kur po kaloni një divorc.
Divorci është një ngjarje që ndikon shumë jo vetëm tek partnerët, por edhe tek fëmijët e tyre. Mund të ndodhë që prindërit të shprehin mendimet e tyre, apo edhe urrejtjen për palën tjetër, në prani të fëmijëve të tyre. Kjo gjë padyshim që konfuzon fëmijët, por edhe nxit tek ata ndjenja urrejtjeje apo inati kundrejt prindit tjetër. Mund të ndodhë që fëmijët të mbyllen në vetvete, të shmangin aktivitetet sociale, si edhe të kenë rënie të performancës akademike.
Terapia Familjare do të ndihmonte prindërit që jo vetëm të kuptonin më mirë emocionet dhe përjetimet e fëmijëve të tyre, por ata do mund të kuptonin edhe ndjenjat dhe përjetimet e njëri-tjetrit, duke e bërë kështu divorcin një proces me sa më pak dëme në mirëqenien psiko-sociale të fëmijëve, por edhe të vet atyre.
2. Në rastet e varësisë ndaj alkoolit apo substancave narkotike, Terapia Familjare do të ishte ndihmuese jo vetëm për anëtarin e familjes që ka këtë varësi, por edhe për çdo anëtar të familjes.
Varësia ndaj alkoolit apo substancave narkotike bën që individi të përballet me shumë sfida, momente dhe ndjesi të pakëndshme dhe të vështira. Mund të ndodhë që personi që ka varësi, të ketë rolin e prindit ose të fëmijës në familje, ndaj si të paturit rolin qoftë të prindit, apo fëmijës me varësi ndaj alkoolit apo lëndëve narkotike, ka një ndikim të madh në dinamikat familjare.
Individi që vuan nga varësia e alkoolit apo substancave narkotike, padyshim që ka nevojë për mbështetjen e familjes në betejën e tij në heqjen dorë nga kjo varësi. Sigurisht që Terapia Familjare do mund të siguronte një sistem familjar sa më të sigurtë dhe mbështetës.
3. Një rast tjetër ku Terapia Familjare do të ishte ndihmuese, është në rastet kur fëmija vuan nga një çrregullim i të ngrënit. Çrregullimet e të ngrënit, të tilla si: Anoreksia Nervosa, Bulimia Nervosa apo Binge Eating prekin si djemtë, ashtu edhe vajzat kryesisht gjatë periudhës së adoleshencës.
Të paturit një fëmijë që vuan nga një çrregullim i të ngrënit kërkon tepër përkujdesje dhe mirëkuptim nga ana e prindërve. Prindërit duhet të jenë bashkëpunues në procesin e gjatë dhe të vështirë të përballjes me çrregullimet e të ngrënit.
Terapia Familjare do mund të përmirësonte mirëqenien fizike dhe mendore të fëmijës, madje do t’i siguronte atij një mjedis të ngrohtë familjar, në të cilin anëtarët e familjes janë të gatshëm për të kuptuar dhe ndihmuar fëmijën që vuan nga çrregullimi i të ngrënit.
4. Të qenurit fëmijë të prindërve me çrregullime mendore nuk është diçka e lehtë. Sipas American Psychological Association, çrregullim mendor quhet çdo gjendje që karakterizohet nga shqetësime emocionale, sjellje anormale, funksionim i dëmtuar, ose çdo kombinim i tyre.
Fëmijët e prindërve me çrregullime mendore në një mënyrë apo tjetër, u duhet që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi sesa shumë prej bashkëmoshatarëve të tyre. Duke u fokusuar më tepër tek gjendja dhe reagimet e personit që vuan nga çrregullimi mendor, mund të ndodhë që të mënjanohet ekzaminimi i mirëqenies psiko-emocionale të fëmijëve.
Përpos këtij aspekti, ndodh që edhe vet fëmijët të preken nga çrregullime mendore si në rastet e prindërve të tyre. Por edhe në rastet ku trashëgimia gjenetike nuk luan një rol kyç, ndodh që këta fëmijë të hasin probleme të ndryshme psikologjike si pasojë e ngarkesës emocionale që u ka sjellë jetesa me një prind që vuan nga një çrregullim mendor i caktuar. Terapia Familjare do të ndihmonte si prindin që vuan nga çrregullimi mendor, ashtu edhe fëmijët. Terapia familjare do të bënte që këta fëmijë të kalonin një fëmijëri sa më të shëndetshme dhe me sa më pak ngarkesë emocionale.
5. Humbja e një anëtari të familjes është një ngjarje tepër traumatike për individët.
Çdo individ ka mënyrën e tij të përjetimit të kësaj humbjeje dhe dhimbjeje. Duke qenë se reagimet e gjithsecilit janë të ndryshme, si dhe duke ditur se humbja e një anëtari të familjes ndikon në aspektin emocional, social, por edhe financiare në rastet ku anëtari i humbur është njëri nga prindërit, Terapia Familjare do të ndihmonte qe sistemet familjare të forcoheshin sërish dhe që secili nga anëtarët e familjes të kuptonte më mirë njëri-tjetrin.
Padyshim që përpos këtyre pesë arsyeve të përmendura më sipër, ka edhe shumë të tjera. Nëse në ndonjërën nga këto arsye, keni gjetur disi copëza të historikut të familjes suaj, apo edhe nëse këto arsye ju kanë bërë të mendoni dhe reflektoni për situata të tjera që ju dhe anëtarët e familjes suaj po hasni, mos ngurroni të kontaktoni ofrues të kujdesit shëndetësor që mund t’ju mundësojnë kontaktet e duhura me psikologë dhe psikoterapistë profesionistë që zhvillojnë Terapi Familjare.