Vështirësi në sistemimin e refugjatëve afganë në Uiskonsin

Pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve, qindra mijëra afganë filluan të kërkonin strehim në Shtetet e Bashkuara. Por tani që ndodhen në Shtetet e Bashkuara, disa familje në dy qytetet më të mëdha të Uiskonsinit kanë vështirësi të gjejnë banesa.

Afërsisht 10,000 refugjatë afganë që mbërritën në Shtetet e Bashkuara po strehohen përkohësisht në bazën ushtarake Fort McCoy, në Uiskonsin.

Autoritetet po përpiqen t’u gjejnë atyre banesa të përhershme dhe rreth 900 prej tyre do të sistemohen në Uiskonsin, në gjashtë zona të ndryshme, duke përfshirë qytetin e Miluakit dhe atë të Madisonit.

Në shtator dhe tetor, disa organizata humanitare me seli në Miluaki dhe një organizatë e grave myslimane bënë një vizitë të veçantë në bazën ushtarake Fort McCoy, në të cilën mediat nuk u lejuan.

Sheila Badwan nga “Hanan Refugee Relief Group”, një organizatë që punon me agjencitë e sistemimit të personave të zhvendosur thotë se, në një proces të pazakontë, refugjatët gjithnjë e më shumë po u dorëzohen organizatave humanitare dhe agjencive që merren me sistemin e personave zhvendosur.

“Pra, ky nuk është një program normal i sistemimit të refugjatëve. Dhe kjo ka krijuar një barrë për organizatat e komunitetit dhe agjencitë që merren me sistemimin e personave të zhvendosur”, thotë Sheila Badwan nga organizata “Hanan Refugee Relief Group”.

Këto organizata duhet së pari të gjejnë banesa për refugjatët. Por këta refugjatë, të cilët kanë një status të ndryshëm nga të tjerët që kanë marrë azil, nuk kanë aq shumë burime, dhe kjo po pengon procesin e sistemimit të tyre në Miluaki dhe Madison.

“Shumica dërrmuese e tyre kanë statusin e të liruarit me kusht, që do të thotë se pas rreth një viti, ata duhet të kërkojnë realisht azil dhe ky është një proces shumë i vështirë”, thotë Janan Najeeb nga Koalicioni i Grave Myslimane të Miluakit.

Shërbimi Social Hebraik, një organizatë joqeveritare me seli në Madison, është e përgatitur të mirëpresë 75 refugjatë afganë, por sistemimi i refugjatëve të sapoardhur mund të jetë sfidues.

“Ata nuk kanë asnjë nga kushtet që kërkohen nga qiradhënësit. Ne nuk nënshkruajmë kontratat e qirasë për njerëzit. Ne i ndihmojmë ata të nënshkruajnë ato, në mënyrë që pronarët të jenë më elastik me situatën e tyre”, thotë Becca Schwartz nga Shërbimi Social Hebraik.

“Në këtë pikë ne kemi nevojë për të gjetur banesa në Miluaki dhe pjesë të ndryshme të rajoni, për t’i sistemuar këta individë”, thotë Hector Colon nga Shërbimi Social Luteran.

Por gjetja e banesave të nevojshme me qira është e vështirë. Agjencitë humanitare kanë nevojë për banesa që përveç plotësimit të nevojave bazë të këtyre familjeve, të jenë gjithashtu edhe si një lloj ndihme financiare për refugjatët.

“Miluaki është një qytet që ka mungesa të banesave, veçanërisht atyre me kosto të përballueshme. Shumë nga familjet refugjate mund të kenë nevojë për banesa me më shumë se tre dhoma gjumi. Ka një numër të kufizuar të banesave të tilla me kosto të përballueshme”, thotë Kai Gardner nga Këshilli për Marrëshëniet me Komunitetin Hebraik.

“Tani ne po sigurojmë apartamente, çdo lloj apartamenti që mundemi. Po i sigurojmë ato para kohe për të qenë në gjendje t’i sistemojmë me shpejtësi njerëzit kur të arrijnë këtu. Kjo paraqet një sfidë financiare për agjencitë tona”, thotë Mary Flynn nga Shërbimi Social Luteran.

Në Uiskonsin, disa kompani private si Airbnb po përpiqen të ndihmojnë. Ato po punojnë për të lidhur agjencitë e sistemimit të personave të zhvendosur me njerëz që mund t’u ofrojnë disa prej këtyre familjeve strehim falas.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Qeveria shqiptare rishqyrton kufijtë e Zonave të Mbrojtura, kundërshtojnë organizatat mjedisore

Story i radhës

Republikën Demokratike e Kongos dënon me vdekje vrasësit e dy ekspertëve të OKB-së

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish