Gara e parë sezonale në Bahrein rezultoi zhgënjyese për kampionin e Botës në fuqi të Formula 1, Max Verstappen.
Red Bulli i holandezit nuk ishte përshtatur më së miri me ndryshimet e reja ndërsa nuk pati forcën për të konkurruar me Ferrarin, madje në fundin e garës për shkak të problemeve në njëvendëshen e tij Verstappen u detyrua të tërhiqej.
Megjithatë, 24-vjeçari ka ruajtur qetësinë dhe është shprehur i sigurt se ai dhe skuderia do të rikthehen më të fortë, duke nisur nga gara e kësaj fundjave në Arabinë Saudite.
“Fundjava e kaluar ishte pak e vështirë për të gjithë ne, por ne humbasim dhe fitojmë si një skuadër dhe do të rikthehemi më të fortë.
Ishim kompetitivë në Bahrein edhe pse pati probleme dhe ka gjëra pozitive që mund t’i marrim nga gara. Përpara është një sezon i gjatë, ishte thjesht gara e parë e sezonit.
Tani vëmendja shkon në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, është ende një pistë e re për ne.
Në vitin e kaluar pista pati shumë lagështirë dhe kjo e bënte sfiduese. Është një pistë e shpejtë dhe këtë vit makinat janë pak më të rënda, ndaj jam kurioz të shoh si do të përshtatem. Por, mendoj se do të jetë një garë shumë e bukur”, u shpreh Verstappen.