Në historinë e Kosovës, dhe jo vetëm, paga e mjekut, kurrë nuk ka qenë më e vogël se paga e kryetarit të komunës, më e vogël se paga e deputetit, gjykatësit, prokurorit dhe të ndonjë profesioni tjetër, e të mos flasim për pagën e një mësuesi të nivelit fillor.
Ky shkrim, lexues të nderuar më është imponuar nga lajmi i mbrëmjes, se në shtator, shkollat do të jenë të zbrazëta, nëse qeveria mësuesve nuk ua rritë pagat.
Mbetet të shpresojmë, se këtë qëndrim armiqësor, të disa grupeve të shitura sindikaliste, të solidarizuara dhe me kërkesën e kthimit të ferexhesë, jo vetëm në shkollë, shumica e punëtorëve dhe mësimdhënësve nuk do ta përqafojnë!
Askund tjetër, përveç në Kosovë, nuk dëgjon, në veçanti, tani në rrethana të krizës botërore, organizime sindikaliste politike, në “Partneritet me pushtetin” siç thonë disa kryesindikalist të çmendur!
Nga përvoja ime personale dhe tradicionale, niveli i arsimit në Kosovë, kurrë nuk ka qenë më i ulët se në këtë njëzetvjeçar, bile as në vitet e ‘50- ta të shekullit njëzetë.
Të gjithë e dimë, se sikur të mos ishte përkushtimi prindëror, duke i ndihmuar nxënësit në shtëpi, nxënia e mësimit në shkolla do të ishte katastrofale.
Në përfundim të këtij shkrimi, mësuesve të të gjitha niveleve, të përkushtuar në punën e tyre, u kërkoj falje dhe i lus, që me shembullin e tyre, të ndikojnë dhe në të tjerët, që të drejtën ligjore për protesta të mos e kurorëzojnë në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht me ndërprerjen e mësimit, ngase kjo, në këtë vend, kurrë nuk ka ndodhë, bile as edhe atëherë, kur Serbia i kishte përjashtuar nga puna!
Me respekt!
Prishtinë, 18 Gusht 2022