Ajo që duhet cekur që në fillim është fakti se, heshtja e komunitetit ndërkombëtar kundruall situatës së tensionuar në veri të Kosovës, përkatësisht durimi enigmatik dhe mos reagimi i menjëhershëm i KFOR-it dhe EULEX-it ndaj vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës nga grupet e armatosura dhe kriminale serbe me pëlqim të Beogradit dhe urdhër të çetnikut M. Radojçiq, sidomos mos largimi i tyre për 18 ditë rresht, sikur më ngjason me kohën kur helmet-kaltërtit të njohur siUNPROFOR (Forcë mbrojtëse e OKB-së në Bosnje), kur kontingjenti holandez nuk ishte në gjendje ta mbronte popullsinë nga masakra e 11 korrikut 1995 në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8000 myslimanë boshnjakë, siç na kujtohen edhe pamjet e hidhura kur çetnikët serbë i lidhnin oficerët holandez për shtylla elektrike..!?
Këtë analogji dhe krahasim dikush mund ta quan çmenduri dhe naivitet politik, por historia na mëson se asgjë nuk mund të përjashtohet në këtë botë, derisa vende si Serbia fashiste ka 23 vite që blen dhe luan me armatim të sofistikuar çdo ditë afër kufijve të Kosovës, duke kërcënuar me luftë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën, përderisa në anën tjetër Rusia bolshevike dhe naziste qe 10 muaj vret dhe masakron popullin e pafajshëm ukrainas, në fakt popullin, i cili e ka ADN-në e njëjtë me atë sllavo-ruse, vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet e saja cariste dhe kolonialiste në Lindje të Evropës..!?
Unë i frikësohem lojës së Serbisë si dhe qëndrimit të saj përkrahës ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke i ditur mirë faktet historike, se ka qenë Serbia ajo e cila e ka shkaktuar LPB-re (vrasja e F. Ferdinandit në Sarajevë, 1914), dhe madje ky “status-quo” në veri të Kosovës si dhe inercioni i pajustifikuar i shteteve perëndimore ndaj viktimave të pafajshme në Ukrainë, mendoj se janë duke ubërë me qëllim, që Rusia të detyrohet ta humbë luftën në Ukrainë si dhe të dobësohet sa më shumë ekonomikisht dhe ushtarakisht..!?
Andaj, çdo mos-durim apo veprim i organeve të sigurisë së Kosovës për heqjen e barrikadave në veri, pa qenë i koordinuar me miqtë amerikan, KFOR-in dhe EULEX-in, pa dyshim, do ketë reperkusione të rrezikshme për Kosovën, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit perëndimorë, kur kemi parasysh faktin se lidershipit politik në Prishtinë i mungon përvoja, sidomos mosnjohja e duhur e strategjive politike dhe ushtarake ndërkombëtare, para së gjithash, strategjisë politike dhe ushtarake amerikane në Evropë e më gjerë.
Pra, Kosova qe 23 vite pas çlirimit, ajo ende nuk është bërë shtet i mirëfilltë sovran dhe i pavarur, dhe kjo fund e krye për shkak të sulmeve dhe shantazheve të vazhdueshme të Serbisë brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat i ka ndërmarrë në mënyrë agresive kundër pavarësisë së saj, si dhe forcimit të saj si shtetit i pavarur, ndaj unë frikësohem se disa faktorë ndërkombëtarë mund ta përdorin edhe sot Kosovën si monedhë për ç’ kusuritje për interesa të tyre vitale në Ballkan dhe më gjerë..!?
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO