Rikthimi i disa procedurave burokratike të policisë së Kosovës kanë krijuar prej disa ditësh radhë të gjata makinash në pikën e kalimit kufitar në morinë në drejtimin Shqipëri- Kosovë.
Ndonëse temperaturat kanë kaluar 40 gradë, emigrantëve që kthehen në atdhe dhe të qytetarëve që kthehen nga pushimet në Shqipëri, u duhet të qëndrojnë në radhë duke pritur kotrollet rutinore të dokumentacionit nga punonjësit e palës kosovare.
Shkak është bërë vendimi i qeverisë së Kosovës për të rikthyer siguracionet për makinat me targa të huaja të emigrantëve.
Sipas vendimit të Ministrisë së Financave të Kosovës ata do të rimbursohen më pas, ndaj dhe duhet të regjistrohen në pikën e kalimit kufitar.
Pikërisht kjo procedurë krijon vonesa duke krijuar radhë të gjata. Nisur nga kjo situatë që po zgjat prej disa ditësh mësohet se Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla i ka kërkuar prej javës së kaluar homologut Xhelal Sveçla që të ndërhyjë për të lehtësuar kthimin e mërgimtarëve kosovarë me makinat e tyre në këtë sezon pushimesh në atdhe.
“Ne duhet t’ua lehtësojmë rrugën e tyre për në atdhe e jo t’ua vështirësojmë”, mësohet të jetë shprehur Balla gjatë komunikimit me homologun e tij të Kosovës.
Policia shqiptare po i ndihmon qytetarët e Kosovës, duke u ofruar edhe ujë të pijshëm teksa presin në radhët e gjata, të cilat kanë penalizuar edhe makinat me targat e Shqipërisë, të cilave u duhet gjithashtu të presin, pavarësisht se mes dy vendeve ekziston një marrëveshje që shmang kontrollet gjatë sezonit veror.