Vendim i dhimbshëm i basketbollt gjatë vitit 2022

December 28, 2022
min lexim

Bordi Drejtues i Ligës Unike më 18.11.2022 në Tiranë ka marrë vendim që të pezullojë aktivitetin e Ligës Unike për Meshkuj, ndërsa do të vazhdojë me zhvillimin e aktivitetit në konkurrencën e femrave.

Deri te ky vendim Bordi Drejtues i Ligës Unike ka ardhur pas takimit disa orësh me klubet shqiptare sot në Tiranë në prani edhe të dy presidentëve të Federatave themeluese të kësaj lige.

Për shkak të tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës është i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë, prandaj Bordi Drejtues i Ligës Unike ka marrë vendim pezullimin e garës dhe do të vlerësojë opsionet e ristrukturimit të saj.

FBK me sukses përfundon Kursin për Administratorë të Sportit

Më 19-20 nëntor, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me sukses ka përfunduar kursin për Administratorë të Sportit. Ky Kurs është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Akademia Olimpike, ndërsa kanë marrë pjesë përfaqësuesit e FBK-së, si dhe të klubeve të basketbollit.

Në kursin e mbajtur gjatë fundjavës për dy ditë me radhë kanë ligjëruar Ibër Alaj, Drejtor i Departamentit të Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Fitim Arifi, Koordinator për Edukim në Akademinë Olimpike dhe Stavri Bello, Instituti i Kërkimit Shkencor në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe vëzhgues i basketbollit në FIBA.

Gjatë kursit është mësuar për Hartimin e suksesshëm të Planit Strategjik dhe zhvillimit të burimeve njerëzore.

Duhet theksuar se FBK është një nga vendet e rrallë në rajon që ka Planin Strategjik 2021-2025.

Pjesëmarrësit po ashtu kanë zhvilluar shumë detyra brenda kursit gjatë dy ditëve dhe në fund janë certifikuar si administrator të sportit.

Filloi Liga e Veteranëve

Më 21 nëntor ka filluar Liga e Veteranëve. Kjo është hera e parë që po organizohet Liga e Veteranëve te meshkujt, ndërsa më pas do të vazhdohet edhe te femrat. Në këtë ligë po marrin pjesë gjashtë skuadra: Trepça, Vëllaznimi, Golden Eagle Ylli, Peja, Prishtina dhe Bashkimi. Hapjen e garave e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu. I pari i basketbollit të Kosovës duke përshëndetur të pranishmit kujtoi se kjo gjeneratë para dhe pasluftës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm të basketbollin e Kosovës dhe kjo ligë po organizohet për të nderuar veprat e tyre. Fetahu shtoi se janë krenarë që po përkrahin këtë ligë. Edhe Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharemi falënderoi kryetarin e FBK-së për pjesëmarrjen në këtë organizim dhe klubet pjesëmarrëse.

Edhe një Evropian në Prishtinë

Federata e Basketbollit e Kosovës ka fituar edhe një organizim ndërkombëtar. Bordi i FIBA Evropës ka marrë vendim më 22 nëntor që FIBA Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U16 të mbahet në Prishtinë.

Kjo garë do të mbahet nga 15 deri më 23 korrik 2023 në kryeqytetin e Kosovës. Evropiani i Divizionit C këtë vit është mbajtur në Prizren, kurse Challenger për U16 ishte mbajtur në Prishtinë vitin e kaluar. Më herët në Prishtinë është organizuar Evropiani i Divizionit B për femra U20, kurse për herë të parë ishte organizuar Divizioni C për meshkuj 18, ku kishin fituar Dardanët, ashtu si edhe Challenger-in edicionin e kaluar.

Kosova me 5 kombëtare të reja në arenën ndërkombëtare

Kombëtaret e reja të Kosovës do të marrin pjesë si zakonisht në garat ndërkombëtare.

Gjatë verës së ardhshme, te meshkujt do të garojnë Kosova U20 në Divizionin B, Kosova U18 në Divizionin B dhe Kosova U16 në Divizion C, që do të organizohet në Prishtinë. Ndërkohë te femrat, Kosova do të paraqitet me U20 në Divizionin B dhe me U18 në Divizionin C. Divizioni B i meshkujve për U20 do të organizohet në Shkup të Maqedonisë Veriore nga 7 deri më 16 korrik 2023. U18 i meshkujve mbahet në Matosinhos të Portugalisë nga 21 deri më 30 korrik 2023. U16 i Divizioni C do të organizohet në Prishtinë nga 15 deri më 23 korrik 2023. Ndërkohë, te femrat U20 i Divizioni B do të zhvillohet në Craiova të Rumanisë nga 28 korriku deri më 6 gusht 2023. Divizioni C i femrave U18 do të mbahet në Durrës të Shqipërisë nga 1 deri më 6 gusht 2023.

Trajneri i mirënjohur, Maurizio Cremonini ligjëroi para trajnerëve të Kosovës

Trajneri i mirënjohur, Maurizio Cremonini (më 24 nëntor) ka ligjëruar para trajnerëve kosovarë, sidomos atyre që ushtrojnë me gjeneratat e reja. Cremonini ka ligjëruar në kuadër të Klinikës, që është organizuar nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Klinikën e ka hapur Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Maurizio Cremonini i cili është pjesë e stafit të FIBA Evropës për Minibasketboll ka ligjëruar në dy pjesë: Pjesa e parë ishte Puna bashkëkohore në ‘easybasket’ me 8 dhe 9 vjeçarët, duke demonstruar me fëmijë se si të bëhet kjo dhe pjesa e dytë ishte Trajnimi bashkëkohor në Minibasketboll. Ai për faqen zyrtare të FBK-së është shprehur shumë i lumtur që ka ligjëruar në Kosovë dhe sheh fëmijë me potencial për të ardhmen, ndërsa Minibasketbolli është shumë i rëndësishëm për basketbollin modern në ditët e sotme.

Federata e Basketbollit e Kosovës, fituese e projektit në Erasmus +

Federata e Basketbollit e Kosovës për herë të parë (më 25 nëntor) ka fituar projekt në Bashkimin Evropian, më saktësisht nëpërmjet programeve të Erasmus+. Projekti i fituar është PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave). Objektivi i përgjithshëm i projektit “PROMISE” është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.

Projekti “PROMISE” përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.

Programi ka një mbulim të gjerë dhe të larmishëm gjeografik që përmirësohet më tej nga rrjetet e gjera sportive të organizatave pjesëmarrëse, të cilat mund të shfrytëzojnë sinergjitë me iniciativat e tjera lokale dhe rajonale, si dhe me projektet evropiane në këtë fushë. Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila edhe udhëheqëse e projektit. Projekti do të fillojë në Janar 2023 dhe do të përfundojë në Qershor 2025.

Prishtina në ENBL

Sigal Prishtina për herë të parë po garon në Ligën ENBL.

Bardhekaltrit deri më tani kanë zhvilluar katër ndeshje, ku kanë pësuar tri humbje, ndërsa kanë një fitore.

Kryqytetasit fituan ndaj Zielona Goras, kurse humbën nga Budivelnyk, BC Kalev/Cramo dhe Polski Cukier Start Lublin.

Në Gjakovë bëhet thirrje kundër dhunës ndaj gruas!

Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me UN Women Kosovo ka një aktivitet në kuadër të “16 ditë të aktivizmit” dhe ndalimit të dhunës ndaj gruas. Kjo ngjarje u organizua më 3 dhjetor.

Ky aktivitet është shënuar në Gjakovë në sfidën e Prince Caffe Superligës mes Vëllaznimit dhe Ponte Prizrenit.

Përfaqësuesit e FBK-së (Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme, Linda Shala, nënkryetare e FBK-së dhe Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve dhe Basketbollit 3×3) dhe UN Women Kosovo së bashku me basketbollistët dhe stafin e të dy skuadrave kanë veshur bluza që të ndalet dhuna ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, ndërsa iniciativa është përkrahur edhe nga tifozët kuqezi, që me pankarta bënë thirrje që menjëherë të ndalet dhuna ndaj grave.

Irma Konjusha, gjyqtarja e parë femër në Superkupë

Ndeshja mes Trepçës dhe Rahovecit më 10 dhjetor ishte e veçantë për Irma Konjushën. Kjo ishte hera e parë për të që gjykon në Superkupë të meshkujve, por është edhe hera e parë për një gjyqtare femër që gjykon në nivele të tilla të garave.

Performaca e saj ishte e mirë, duke marrë nota pozitive për gjykimin e ndeshjes. Ajo gjithashtu është kandidate potenciale për licencë të FIBA-s si gjyqtare, ndërsa synimi i saj është të garojë në arenën ndërkombëtare.

Irma ka qenë basketbolliste e dalluar duke fituar shumë trofe në basketbollin e Kosovës të femrat, madje njëra nga lojtaret më të dalluara në garat vendore. Konjusha gjithashtu ka qenë pjesë e Kosovës A në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, si dhe ka përfaqësuar Kosovën në kualifikimet e FIBA Europe Cup në 3×3.

Superkupa e Sigal Prishtinës

Sigal Prishtina ka triumfuar në Superkupën e Kosovës në basketboll, duke mundur Trepçën me shifrat 73:54 (13:8, 15:15, 24:14, 21:17), në finalen e zhvilluar në Prishtinë.

MVP i Superkupës është shpallur Lejson Zeqiri, çmim të cilin ia ndau Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ndërsa kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ia ndau trofeun kapitenit të Sigal Prishtinës, Dardan Berisha.

Kjo ngjarje u zhvillua në Prishtinë nga 9 deri më 13 dhjetor, ku garuan tetë klubet e elitës, por që mbeti nën hije të incidentit të finales në mes Sigal Prishtinës dhe Trepcës, kur pas përfundimit të pjesës së parë për shkak të hudhjeve të pandërprera në terren të tifozëve të pranishëm, pjesa e dytë u zhvillua pa shikuesit në tribuna.

Grupi i tretë i trajnerëve përfundo Kursin e Nivelit 1 FIBA/WABC

Prej 19 deri më 24 dhjetor është organizuar Kursi i Nivelit 1 FIBA/WABC për grupin e tretë të trajnerëve të Kosovës. Në fund trajnerët janë vlerësuar nga Instruktori i FIBA-s, z. Amri Nour, i cili është anëtar i Bordit Ekzekutiv të WABC (Shoqata Botërore e Trajnerëve të Basketbollit). Më herët këtë kurs e kanë ndjekur edhe dy grupe të trajnerëve. Kursi ka qenë i mirëseardhur për trajnerët dhe Federata e Basketbollit e Kosovës do të vazhdojë me edukimin e mëtutjeshëm dhe zhvillimin e trajnerëve vendorë, në kuadër të Planit Strategjik 2021-2025.

Dhurata për fëmijët e SOS Fshatrave e Fëmijëve

Federata e Basketbollit e Kosovës më 23 dhjetor, në prag të Festave të Fundvitit, me në krye Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku dhe stafin e FBK-së, së bashku me basketbollistët dhe basketbollistet e Kosovës kanë vizituar SOS Fshatrat e Fëmijëve në Prishtinë.

FBK është pritur në mënyrë të ngrohtë, ku janë njoftuar për punën që bëhet dhe përkushtimin ndaj fëmijëve.

Dushku ka treguar përvojën e saj, që e ka vizituar para 20 vjetësh dhe është shprehur e nderuar që FBK ka ndarë dhurata e topa të basketbollit për fëmijët, duke ju dëshiruar fëmijëve shumë suksese për të ardhmen, ndërsa FBK do të jetë pranë tyre në kërkesat që do të kenë. Basketbollistët dhe basketbollistet e Kosovës në bashkëbisedim me fëmijët kanë treguar për karrierën e tyre dhe përvojat në sport, duke i inkurajuar edhe fëmijët të merren me sport, veçanërisht me basketboll. Fëmijët ishin shumë të lumtur që kanë parë nga afër basketbollistët/et e Kosovës dhe së bashku kanë luajtur dhe kanë mësuar për lojën e basketbollit. Në fund, Dushku ka ndarë edhe një mirënjohje, duke premtuar se do të ndihmojnë edhe në të ardhmen.

Licencohet Federata e Basketbollit

Në kuadër të licencimit të federatave sportive sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave, sot ministri i Sportit, Hajrulla Çeku së bashku me zëvendësministren Daulina Osmani kanë pritur drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Kryetarin Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme Elvira Dushku.

Kësaj radhe, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, ministri Çeku i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar zyrtarisht licencën për ushtrimin e veprimtarisë kryetarit të Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, kryetarit të Federatës së Volejbollit, Bahri Gjinovci dhe kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Filipine, rritet në 25 numri i të vdekurve nga përmbytjet

Story i radhës

Stjuardesa ndërroi jetë pas fluturimit për në Londër, ‘Air Albania’ sqaron ngjarjen: Pësoi atak kardiak

Të fundit nga

ShkoLartë