E bëri për ‘pesë pare’ Evropën, e shau, e … skuqi! Kësaj radhe ishte veshur brenda normës, nuk kishte kombinuar kollare të larme me atlete të kuqe (eurosocialiste), por lëre fare se në politikë Edi nuk ka ngjyrë.
Nuk e shau Evropën si At Gjergj Fishta, as si politikanët rusë, serb, apo si dijetarët nëpër rrjet. I mbajti Evropës një leksion për demokracinë dhe moralin. Pastaj mbajti edhe një leksion për patriotizmin … ballkanik. Foli se si duhet të funksionojë drejtësia, me shumë kompetencë.
Pas kësaj fjale, “mbyllja e Hagës” mbetet çështje ditësh, liberalizimi është punë e kryer, emri Kosovë më nuk do të shkruhet me O-në serbisht dhe në fund pason më e rëndësishmja: u kuptua botërisht se Kosova nuk është vetëm, se me të janë Edi, edhe Aleksandri edhe krejt Ballkani…i hapur!
Pastaj, disa ditë më vonë, në Berlin e tregoi se nuk i kishte vetëm fjalë. Patriotizmi i tij socialist shkëlqeu kur ja hodhi dorën mbi sup Albinit, sikur u thoshte të gjithëve “kujdes, unë jam Vëllai i Madh këtu, kush ma prekë …”. Albini i skuqur, nga shtrëngimi apo nga sikleti i kësaj dashurie publike, e cila sërish mund të ngjallte idetë për bashkim, mu në mes të Berlinit, po sillej pikërisht ashtu si e kishte parashikuar Edi. E si të sillej ndryshe me Vëllain e Madh?
Edi, përndryshe ka shumë “vëllezër” publikë. Se është vëlla me Presidentin e Turqisë, për shembull, këtë e dimë! Na e kanë thënë vet pas takimeve protokollare. Sinqeriteti dhe dashuria mes politikanëve është pamje e besueshme për publikun dhe kjo nxitë edhe dashurinë mes popujve, pavarësisht kujtesës historike. Në fund të fundit një bashkëjetesë aq e gjatë historike do të prodhonte sa urrejtje aq edhe dashuri. Pas gjashtë shekuj njerëzit harrojnë se si ka filluar … gjithçka!
Edhe me presidentin e Serbisë është përmendur njëfarë marrëdhënie vëllazërie publike. Në rregull, sinqeriteti i kësaj vëllazërie është vënë në dyshim nga opozita në Shqipëri dhe Serbi e nga (o)pozita në Kosovë, por kur dolën gjërat sheshit u pa që nuk ishte pa gjë, kishte në këtë marrëdhënie edhe dashuri… edhe interes.
Vëlla Aleksandër, vëlla Edi, krejt kjo mbase është vetëm retorikë publike për të thyer idenë e armiqësisë shekullore shqiptaro- serbe, apo konkurrencë për “Nobelin”, por pasi përsëritet disa herë… pastaj, dukeshin aq të sinqertë.
Deri sot, as njërit as tjetrit, ndoshta për shkak të respektit apo protokollit nuk i ka ndodhur që Edi vëllai tu përvidhet nga prapa, apo tu mbyllë sytë me pëllëmbë. Ja mbylli sytë kryeministrit të Kosovës. Nuk i tha vëlla, nuk ja kapi faqen, por i hodhi krahun, e shtrëngoi në gjoks dhe… kaq. Me aq e la dhe doli nga skena eurosocialiste me hap të avashtë por … kilometrik.
Kur të mbyllin sytë nga pas dhe dëgjon pyetjen e zakonshme në këto raste, e cila edhe kur nuk shqiptohet, rri pezull dhe paralajmëron një befasi të këndshme, nuk ke se si të mos pyetesh: kush është Edi? Por, e di kush, kush është Edi Rama, në politikë? Përse të bëjmë pyetje të pamundura?
Pastaj, pse të jetë e rëndësishme në është vëllai turk, serb apo shqiptar në kohën kur vëllazëria nuk është vetëm çështje etnike!
Në fund të fundit të gjithë njerëzit janë vëllezër, duke u nisur nga ideja e paraardhësit të përbashkët, Adamit apo Ademit që i bie njësoj. As mos e diskutoni, krimet apo historia nuk e mohojnë këtë fakt të vëllazërisë.
Edhe pse sipas disa filozofëve historia do të duhej të kishte vdekur tashmë, ajo mbijetoi, më e fortë se kurrë në zonat ku civilizimet dhe ideologjitë takohen, përplasen e përqafohen ashtu si Edi që përqafohet me fqinjët e përplaset në shtëpi të vet. Por Edi luftën e civilizimeve e sheh nga dritarja e zyrës së tij, në parlament, në rrugë, kudo.
Historia pra, mbijetoi, filozofët nuk e vranë! Mbetet, ndërkohë që demokracia jonë është ende e brishtë, e pa vlerësuar nga ndërkombëtarët. Prapëseprapë, pas fjalimit të Edit, Evropa u skuq. Dikur Isë Boletini kishte lënë nam në Londër duke treguar kufijtë e Shqipërisë, por Edi është paqësor dhe nuk shkoi në Bruksel për të treguar, por për të hapur kufij.
Edi pra, i mbajti Evropës ligjëratë për demokracinë dhe drejtësinë. Këshilli i Evropës mbeti gojëhapur nga gjithë ajo pakënaqësi e Edit me Evropën dhe me parimet evropiane. Edi tha se Evropa nuk është… Evropë. Tha se ajo nuk po sillet si Evropë. Evropa e kuptoi se duhet të mësojë shumë nga Ballkani i Hapur dhe se duhet të sillen vëllazërisht mes vedi…sikur ne, në Ballkan.
Përfundimisht, u kuptua se Evropa nuk duhet të quhet e bashkuar, por… e hapur.