Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha në një takim me socialistët e Rrogozhinës, se qytetarët dhe vetë demokratët e kanë kuptuar që vendi duhet të shkojë vetëm përpara. Ai tha se Sali Berisha dhe Ilir Meta, që tani nuk flasin më me njëri-tjetrin, po pushojnë në Lalëz, ndërsa Kavaja është mbuluar nga mbeturinat dhe aty nuk punon më askush.
“Më kujtohen zgjedhjet e vitit 2011 në Tiranë, që u ndanë për 10 vota, dhe ju e patë çfarë ndodhi, ku për ato 10 vota Tirana shkoi 4 vite pas. Ose thjesht kaloni tani në Kavajë dhe shihni Kavajën që s’po e pastron njeri, ndërkohë Saliu vetë ka nisur pushimet në Lalëz. Ilir Meta është në Lalëz, madje është zënë edhe me Saliun, as nuk flasin bashkë, as nuk i kanë më këshilltarët bashkë sepse ata e trajtojnë një qytet, një Bashki, një këshilltar Bashkiak si plaçkë për të futur në sherr, jo për të bërë punë.
Mjafton të krahasoni Tiranën e 2011, që shkoi 4 vite pas për ato 10 vota, me Tiranën që sot ka më shumë turistët se sa banorë. Kjo do të thotë se kur kryebashkiaku punon, kur Edison Memolla me Edi Ramën janë në një krah dhe në një parti, prodhojnë të njëjtën energji dhe punojnë për të njëjtat projekte që vetëm të shkojnë përpara”, tha Veliaj.
Mandej ai shtoi: “Ne ofendohemi kur kundërshtari thotë ‘do shkoj të blej keca për votë’; ne ofendohemi kur dikush tjetër thotë ‘do e menaxhoj me telekomandë Rrogozhinën nga Tirana apo Kavaja’. Ne patjetër që ofendohemi, por nuk kemi armiqësi. Dua t’ju kërkoj të gjithëve gjakftohtësi. Ata e dinë që e kanë humbur davanë dhe do vinë në çdo aktivitet, kështu që edhe atyre të televizioneve të Saliut, që s’paguajnë asnjë taksë, nuk kanë asnjë regjistrim, komplet në të zezë, që pastrojnë pa fund para, do e bëni siç bëj unë, me një buzëqeshje do i thoni: ‘Patjetër, patjeter, për sa kohë që jeni mediat e Saliut, bujrum edhe nëpër shtëpitë tona, por kini parasysh që ata që i kanë bërë më keq këtij vendi bërtasin “o le-le” për çdo fushatë e për çdo betejë që humbasin! Asnjë prej jush nuk duhet të provokohet. Dua që ta menaxhoni këtë me buzëqeshje, me dashuri, optimizëm dhe përgjigjen do e japim ditën e diel në datën 23 korrik, kur ne fitojmë të 5 njësitë e Rrogozhinës, për të treguar që PS është sot e vetmja mundësi, e vetmja rrugë.”