Ish qendërsulmuesi portugez, Fernando Gomes, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, pasi humbi një betejë të gjatë me kancerin e zorrës së trashë.
Në vitet tetëdhjetë, Gomes ishte një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Ai fitoi dy herë “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë në Evropë. Hera e parë ishte në vitin 1983, kur shënoi 36 gola në ligë, dhe dy vjet më vonë 39.
Ai ishte gjashtë herë golashënuesi më i mirë i kampionatit portugez dhe me 287 gola vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë në historinë e Porto-s.
Ai fitoi gjithçka me klubin dhe suksesin më të madh e arriti në vitin 1987, kur Porto ngriti trofeun e Kupës së Kampionëve të Evropës, siç quhej atëherë kompeticioni më elitar kontinental.
Pas kësaj ai mori trofetë e Superkupës së Europës dhe të Kampionatit Botëror të Klubeve. Në vendlindje ka fituar gjithsej 11 tituj, kupa dhe superkupa.
Ai kujtohet për deklaratën e tij se “shënimi i golave është si një orgazmë”, dhe shumë breza lojtarësh të rinj e konsideruan atë një model.