Autoritetet në Greqi kanë evakuuar rreth 2.500 persona nga ishulli grek i Korfuzit, të hënën, teksa zjarrfikësit po luftojnë me disa zjarre të egra në Greqinë e dërrmuar nga i nxehti ekstrem. Dhjetëra mijëra njerëz tashmë kanë ikur nga flakët në ishullin e Rodos, teksa shumë turistë të frikësuar janë përpjekur të kthehen sa më parë në shtëpitë e tyre.
Rreth 2.400 vizitorë dhe vendës janë evakuuar nga Korfuzi, nga e diela deri të hënën, ka bërë të ditur një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve, duke shtuar se largimet janë bërë si masë kujdesi.
Greqia është kapluar nga një valë e gjatë e të nxehtit ekstrem, e cila ka shtuar rreziqet nga zjarret dhe i ka lënë vizitorët të bllokuar në kulmin e sezonit turistik.
Kelly Squirrel, administratore transporti nga Britania e Madhe, ka thënë se policia i kishte urdhëruar njerëzit nga hoteli i saj në Rodos që të evakuoheshin.
“Na është dashur të ecim”, ka thënë ajo për AFP-në në aeroportin ndërkombëtar. “Kemi ecur për rreth gjashtë orë në të nxehtë”, ka treguar Squirrel.
Rodosi, i cili ka regjistruar mbi 2.5 milionë vizitorë më 2022, është njëri ndër vendpushimet më të popullarizuara në Greqi.
Rreth 30.000 njerëz kanë ikur nga flakët në Rodos gjatë fundjavës, në evakuimin më të madh ndonjëherë nga zjarret në Greqi
Policia ka thënë se autoritetet kanë transportuar 16.000 persona përmes rrugëve tokësore, dhe se kanë evakuuar rreth 3.000 të tjerë përmes detit.
Të tjerët është dashur të ikin vetë, pasi ishin urdhëruar të largoheshin nga zona.
Në Athinë, ministria e Jashtme ka thënë se ka ngritur një njësit për menaxhim krize për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të huaj në Greqi, për shkak të zjarreve të vazhdueshme pyjore./REL
Burimi: GAZETA.MK