Zyrtarë ukrainas raportuan për sulme ruse në rajonet Donteskt, Luhansk e Kharkiv në lindje të Ukrainës, mes paralajmërimeve për një ofensivë të madhe ruse në ditët e ardhshme.
Kreu i administratës ushtarake të Donteskut, Pavlo Kyrylenko, ka thënë se situata në rajon po tensionohet, teksa shtoi se granatimet dhe sulmet ajrore janë shtuar.
Tutje, ai tha se që nga dje, në veri të rajonit të Donteskut ka pasur përpjekje për përparim të forcave ruse, por sulmet janë zmbrapsur, shkruan CNN.
Ndërsa, kreu i administratës ushtarake të Kharkivit, Oleh Syniehubov tha se ka pasur granatime në zonat e banuara të Kharkivit.
Ai tha se janë vrarë shtatë persona, në mesin e tyre një foshnje 7-muajsh dhe u plagosën 34 njerëz, duke përfshirë tre fëmijë.
Kurse, në Luhansk, granatimet në qytetin Severodonetsk kanë dëmtuar sistemin e furnizimit me ujë dhe kanë shkatërruar dy depo ushqimore ka bërë të ditur Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut.
“Rusët po godasin në mënyrë cinike infrastrukturën,” tha Haidai, duke shtuar se zjarri rus goditi qytetet Rubizhne, Kreminna si dhe Severodonetsk.
Në një deklaratë të veçantë, Haidai tha se vullnetarët që i sillnin ndihma humanitare popullatës lokale u vunë nën shënjestër në qytetin e Lysychansk, duke vrarë një burrë dhe duke plagosur gruan e tij.