Evropa jugore do të vazhdojë të përkeqësohet javën e ardhshme pasi një valë e fortë e të nxehtit nuk tregon asnjë shenjë zbutjeje.
Italia, Spanja dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura të larta. Ministria italiane e shëndetësisë lëshoi një alarm të kuq për 16 qytete përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen për fundjavë.
Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme, me mundësi që temperaturat të arrijnë deri në 48 gradë Celsius në ishullin Sardenjë, sipas mediave italiane.
Sidoqoftë, temperaturat e tilla do të ishin më pak se temperaturat rekord evropiane prej 48.8 C – të cilat janë regjistruar në Siçili në gusht të vitit 2021.
Shërbimi italian i motit informoi se Sardenja do të jetë në epiqendrën e valës së të nxehtit të javës së ardhshme.
“Temperaturat do të arrijnë pikun midis 19 dhe 23 korrikut – jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Turqi dhe Ballkan. Disa rekorde lokale të nxehtësisë brenda këtyre zonave mund të thyhen gjatë atyre ditëve”, tha meteorologu italian dhe eksperti i klimës, Giulio Betti për BBC, përcjell KosovaPress
Qeveria e Italisë ka këshilluar të gjitha zonat me alarm të kuq që të shmangin rrezet direkte të diellit nga ora 11:00 deri në 18:00 dhe kujdesje të veçantë për të moshuarit dhe personat e ndjeshëm.
Ndërkohë, Greqia ka arritur temperaturat prej 40C e më shumë ditët e fundit.
Akropoli në Athinë – atraksioni më i njohur turistik i vendit – u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes dhe të shtunës për të mbrojtur vizitorët.
Në ishujt Kanarie të Spanjës, një zjarr pyjor që shpërtheu në La Palma të shtunën në mëngjes detyroi evakuimin e të paktën 4 mijë njerëzve.
Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë në histori, sipas shërbimit të BE-së për monitorimin e klimës Copernicus.
Burimi: GAZETA.MK