Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka urdhëruar qeverinë të angazhojë të gjitha burimet në dispozicion për të përballuar valën rekord të të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Gjatë një takimi me ministrat dhe drejtues të pushtetit vendor, Lee kërkoi aktivizimin e një sistemi të plotë reagimi për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të kufizuar pasojat e temperaturave ekstreme dhe përkeqësimit të thatësirës.
“Vala e të nxehtit ka shumë të ngjarë të vazhdojë për një farë kohe, ndaj qeveria duhet të aktivizojë me vendosmëri një sistem gjithëpërfshirës reagimi deri në lehtësimin e situatës”, deklaroi presidenti Lee.
Sipas autoriteteve shëndetësore, deri të mërkurën 21 persona kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa mijëra të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Temperaturat në shumë zona të vendit kanë arritur pranë 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti Yangsan, në juglindje të Koresë së Jugut, regjistroi një rekord prej 42.5 gradësh Celsius të dielën.
Presidenti u kërkoi zyrtarëve të forcojnë masat mbrojtëse për të moshuarit që jetojnë vetëm dhe komunitetet më të rrezikuara. Ai kërkoi gjithashtu që punëtorët në ambiente të jashtme të kenë pushime të detyrueshme gjatë orëve me temperaturat më të larta, si dhe të merren masa për mbrojtjen e bagëtive dhe kulturave bujqësore.
Lee bëri thirrje edhe për garantimin e furnizimeve të mjaftueshme me ujë, ndërsa thatësira vijon të përkeqësohet në rajonet jugore të vendit.
Burimi: botasot.info


