Vala e lagësht që ka kapluar vendin solli reshje të mëdha të shiut dhe dëborës, vecanërisht në pjesën perëndimore të vendit.
MeteoAlarm njofton se reshje më të mëdha të shiut janë shënuar në Ohër me 30 litra në metër katror.
Nga ana tjetër, në qendrat turistike dimërore kanë rënë sasi të reja të dëborës. Në Kodrën e Diellit trashësia e dëborës është mbi 40 centimetra, kurse në Mavrovë mbi 30.
Reshjet e borës kanë aktivizuar ski-qendrat. Në Kodrën e Diellit nga e shtuna nisi sezoni I skijimit, kurse autoritetet lokale në shërbim kanë vënë edhe transportin publik Tetovë – Kodra e Diellit gjatë fundjavave.
Por, aventurat dimërore kanë përfunduar keq për 6 skiatorë të cilët gjatë ditës së djeshme kishin humbur për shkak të mjegullës në Kodrën e Diellit. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, pas denoncimit në numrin 112, të gjithë janë gjetur shëndosh e mirë.
Autoritetet për mirëmbajtjen e rrugëve thonë se nga mëngjesi I sotëm është tërhequr ndalesa për qarkullimin e mjeteve të rënda transportuese drejt Strazhës.
Pamjet nga ky vend tregojnë sasi të konsiderueshme të borës por edhe ekipe të mirëmbajtjes së rrugëve.
Sipas metereologëve, nga e hëna, për shkak të kthjellimit të motit, mëngjeset do të jenë me temperature të ulëta, kurse ato minimale do të ulen në intervalin nga minus 7 deri në 2 gradë, kurse në viset më të larta pritet të shkojnë deri në minus 10 gradë Celsius. /tvklan.mk/
Burimi: TV KLAN