Në Niger të Afrikës ushtria njoftoi se ka marrë pushtetin në vend, transmeton Anadolu.
Një grup ushtarësh që e quajnë veten “Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP)” lexuan deklaratën e grushtit të shtetit në një video që xhiruan në një seli dhe e transmetuan në televizionin shtetëror ORTN.
Në deklaratën e lexuar nga nënkoloneli Amadou Abdramane thuhet se presidenti Mohamed Bazoum u rrëzua dhe kushtetuta u pezullua për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe krizës socio-ekonomike që po kalonte vendi.
Në deklaratë theksohet se do të vendoset shtetrrethimi nga ora 22:00 deri në 05:00 dhe se të gjithë kufijtë janë mbyllur.
Presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale në mëngjes. Populli doli në rrugë për të parandaluar grushtin e shtetit dhe protestuan për lirimin e Bazoum.
Thuhet se pas grushtit të shtetit qëndron gjenerali Omar Tchiani, i cili ka shërbyer si komandant i Regjimentit të Gardës së Presidentit për rreth 10 vjet. Supozohet se Bazoumi kohët e fundit donte të shkarkonte Tchianin, i cili mbante të njëjtin post nën presidentin e mëparshëm Mahamadou Issoufou.
Në Niger, i cili fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960, ka pasur 4 grusht shteti dhe tentativa të panumërta për grusht shteti. Grusht shteti më i fundit në vend ishte në vitin 2010 kundër ish-presidentit Mamadou Tandja.
Mohamed Bazoum, i cili u zgjodh në shkurt 2021 dhe ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vend, iu dorëzua pasuesit të tij të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Bazoumi përjetoi një përpjekje për grusht shteti më 31 mars 2021, para se të betohej si president dhe përpjekja u shtyp në një kohë të shkurtër. Bazoumi, i cili ndodhej në Türkiye për një vizitë, i kishte mbijetuar një përpjekjeje për grusht shteti në mars 2022 dhe u kthye menjëherë në vendin e tij.
Nigeri në rajonin Sahel konsiderohet si i vetmi aleat i fuqive perëndimore në rajon pasi në Mali dhe Burkina Faso në pushtet erdhën administratat ushtarake. Teksa shtetet fqinje si Mali dhe Burkina Faso po afroheshin më shumë me Rusinë, Nigeri ishte kundër bashkëpunimit me Grupin “Wagner”.