Inflacioni u rrit përsëri në muajin shkurt dhe arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tre grupet e mësipërme.
Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit. Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.
Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar. Kjo reflekton efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm nëj vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negative, në masën -3.9%, çka dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqe gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell për të prodhuar një spirale inflacioniste në ekonomi.
Inflacioni i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9% që kishte qenë në janar. Megjithatë, krahasuar edhe në këtë grup rritja e inflacionit është e dukshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi i indeksit vjetor të çmimeve të konsumit ishte 0. Në një mas ëtë madhe, efekti i shtrenjtimit të energjisë elektrike në tregje është amortizuar nga vendimi për të mos e përcjellë këtë shtrenjtim tek konsumatorët familjarë dhe te bizneset e vegjël. Por, për bizneset më të mëdha, energjia elektrike është shtrenjtuar shumë gjatë muajve të fundit. Ndaj, megjithëse nuk po paguajnë më shumë tek faturat e energjisë elektrike, konsumatorët do ta paguajnë një pjesë të çmimit të energjisë së shtrenjtuar në faturat e blerjes së artikujve dhe shërbimeve të konsumit.
Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, inflacioni i lartë në grupin e produkteve ushqimore përbën një goditje të rëndë për shtresat më të varfra të shoqërisë, ku ushqimet përbëjnë një pjesë shumë të madhe të shpenzimeve familjare. Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë.
Deri në fund të shkurtit, inflacioni ishte amortizuar pjesërisht nga pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimikt valutor. Por, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, leku po pëson një nënçmim të shpejtë kundrejt euros. Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përvcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi.