Në mbledhjen elektronike të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar sot u mor vendimi që t’u ndahet titulli më i lartë i Universitetit të Prishtinës, ,,Doctor Honoris Causa” ish-kongresistit amerikan Joseph J. DioGuardi dhe bashkëshortes së tij Shirley C. DioGuardi.
Joseph J. DioGuardi është kongresisti i parë i zgjedhur me prejardhje shqiptare dhe i pari anëtar i Kongresit Amerikan që u angazhua për çështjen shqiptare në Ballkan pa ndalim që nga vitet ’80.
Përveç pajtimit të njëzëshëm për dhënien e këtij titulli të nderit, senatorët gjatë mbledhjes morën një varg vendimesh për fuqizimin e mësimdhënies akademike, kërkimit shkencor dhe rekrutimit të personelit akademik në Universitetin e Prishtinës.
Senati miratoi tri programe të reja të Universitetit të Prishtinës për akreditim, në vijim të përpjekjeve të pandërprera për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm mes njësive akademike. U aprovuan edhe rekomandimet e Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës për kandidatët e pranuar të njësive akademike në këto studime në vitin akademik 2026/’27. Gjithashtu në mbledhje u plotësua, ndryshua dhe precizua Rregullorja e përgjithshme për studimet e doktoratës.
Senatorët shpallën edhe konkursin për pranimin e studentëve në afatin e dytë në tri nivelet e studimit, në programet ku kanë mbetur vendet të lira nga afati i parë.
Senati shpalli konkurs për dy pozita në Fakultetin e Mjekësisë derisa vazhdoi procesi i emërimit, riemërimit dhe avancimit të personelit akademik nga konkursi publik i 8 janarit 2026 dhe nevojat e brendshme të njësive akademike.
“Me qëllimin e fuqizimit të standardeve të emërimit, avancimit dhe riemërimit të personelit akademik, u miratua propozim-vendimi për përcaktimin e statusit të autorit të parë në publikimet shkencore. Senati miratoi dhe ratifikoi disa tema doktorate dhe mentorët e tyre, derisa përcaktoi edhe kohën e pushimit veror për personelin akademik”, njofton Universiteti i Prishtinës.
Burimi: botasot.info


