Universiteti i Tetovës e nënshkroi vazhdimin e Marrëveshjes me Magna Charta Universitatum

min lexim

 

Kontributi i universiteteve në kohëra turbulente (të trazuara), nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë ishte çështja kryesore në përvjetorin e Magna Charta Universitatum, e cila u mbajt në Universitetin e Bolonjës, prej 14 deri më 16 shtator 2022, ku mori pjesë edhe delegacioni nga Universiteti i Tetovës, në përbërje: Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti – Kryetar i Senatit, Prof. Dr. Faton Shabani – Senator nga Fakulteti Juridik dhe Mr. Sc. Donika Kamberi – Drejtore e Qendrës për Paqe dhe Studime Transkulturore.

Tema qendrore “Angazhimi i universiteteve me shoqërinë në kohë turbulente (të trazuara)”, u promovua nga Observatori Magna Charta Universitatum, organi që monitoron zbatimin e parimeve themelore të përcaktuara në Magna Charta.

Referuesit me famë ndërkombëtare ofruan perspektiva dhe udhëhoqën diskutime mbi sfidat e reja me të cilat përballen universitetet, diskutime të cilat ishin të hapura për drejtuesit e universiteteve, profesionistët, studentët, politikëbërësit dhe aktorët e arsimit të lartë. Qëllimi kryesor ishte t’u mundësojë universiteteve t’u përgjigjen në mënyrë më efektive sfidave me të cilat përballen, si dhe të forcojë aftësinë e tyre për të mbështetur vlerat themelore në dobi të studentëve, shoqërisë dhe komuniteteve universitare.

Të premten, më 16 shtator, në Aula Absidale të Santa Lucia, u mbajt ceremonia për rinovimin e nënshkrimit të Magna Charta në versionin e saj të fundit, MCU 2020, ku Universiteti i Tetovës ishte në mesin e më shumë se 50 universitete nënshkruesve.

Magna Charta për herë të parë u nënshkrua në vitin 1988 nga 388 Rektorë, por pas një konsultimi global, u hartua versioni i ri i Magna Charta Universitatum (MCU 2020), sepse që atëherë konteksti social, ekonomik dhe mjedisor ka pësuar ndryshime të mëdha.

Deri më sot, më shumë se 950 universitete në mbarë botën janë nënshkrues të Magna Charta Universitatum, duke përafruar kështu vlerat e autonomisë dhe lirisë akademike, promovimin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore, brenda një kornize lirie dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.

Observatori Magna Charta çdo vit organizon një konferencë ndërkombëtare për të adresuar sfidat aktuale në ruajtjen e vlerave themelore, për t’i shërbyer shoqërisë me përgjegjësi dhe feston në një ceremoni ku shumë rektorë dhe përfaqësues të universiteteve e nënshkruajnë Magna Charta Universitatum.

Marrëveshja e lartpërmendur në emër të Universitetit të Tetovës u nënshkrua nga kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Story i mëparshëm

“Alarm i kuq” për kombëtaren, pas Gjimshtit, Kumbullës dhe Dermakut, në dyshim Çekiçi e Uzuni

Story i radhës

Digjen disa kasolla në qendër të Shkupit

Të fundit nga