Ukrainë, sanatoriumi në Kharkiv kthehet në strehë për ata që humbën shtëpitë e tyre në luftë

min lexim

Sanatoriumi Klinik “Roshcha” i cili funksionon prej shumë vitesh në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, është bërë strehë për qindra civilë të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre në luftën që Rusia filloi më 24 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Sanatoriumi i cili ndodhet në Kharkiv në lindje të Ukrainës pranë vijës së frontit të luftës Rusi-Ukrainë ka strehuar qindra civilë që nga fillimi i luftës e deri më tani.

I vizituar nga shumë të huaj për trajtim në periudhën kur nuk kishte luftë, sanatoriumi është bërë derë shprese për qytetin e Kharkivit që mbart shenja të rënda të luftës si dhe për njerëzit në nevojë për ndihmë që dynden nga fshatrat në rajon.

Stanislav Paziy, zv/drejtori i Sanatoriumit Klinik Roshcha, në një deklaratë për AA tha se këtu janë strehuar shumë persona nga lagjja Saltivka në të cilën janë përjetuar sulmet më të rënda ajrore të ndërmarra në Kaharkiv nga forcat ruse.

“Këtu janë evakuuar njerëz edhe nga vendbanimet ku forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin më pas”, shtoi Paziy.

Paziy ndau informacionin se në sanatorium qëndrojnë 400 persona dhe se në mesin e atyre që janë evakuuar në sanatorium janë edhe persona me aftësi të kufizuara fizike, të plagosur dhe ata që kanë pësuar trauma psikologjike.

“Këta njerëz kanë kaluar ditë shumë të vështira. Çdo njëri prej tyre është hero. Po ashtu në mesin e tyre ka edhe rreth 10 fëmijë”, tha Paziy.

Për njerëzit në sanatorium ofrohet ushqim tre herë në ditë dhe shërbime shëndetësore, theksoi Paziy i cili tha se këta njerëz mund të qëndrojnë sa të dëshirojnë në këtë qendër.

– Banesa ku jetonim u sulmua 5 herë me raketa

Vladimir Andryenko 76-vjeç, i cili qëndron në sanatorium me bashkëshorten, tha se në ditët kur filloi lufta në banesën e tyre ku ata jetonin u shkaktuan dëme si pasojë e sulmeve të shumta me raketa.

“Ne bashkë me gruan u fshehëm në shtëpinë e dëmtuar deri më 7 prill. U frikësuam shumë por rezistuam”, tha më tej Andryenko.

Ndërsa Viktor Drobotenko 69-vjeç, që është strehuar me gruan e tij në sanatorium, shpjegoi se janë transferuar në sanatorium dje pas shembjes së shtëpisë së tyre në fshatin Tsukovka në Kharkiv ku forcat ruse sulmuan në muajin mars.

“U detyruam të largohemi prej andej si pasojë e shembjes së shtëpisë sonë më 3 qershor”, u shpreh ai.

Evgenya, bashkëshortja 67-vjeçare e Drobotenkos tha se rusët kanë vrarë 5 civilë në fshatin e tyre.

“Njëri nga personat e vrarë është burri i motrës”, tha Evgenya e cila shtoi se trupin e tij e kanë varrosur në kopshtin para shtëpisë.

Ndërkohë, Albina Chuchkalova 69-vjeçe e cila qëndron në sanatorium me burrin e saj me aftësi të kufizuara, tha se burri i saj ka pësuar traumë në vitet e mëparshme dhe si pasojë e kësaj bashkëshorti as nuk mund të flasë dhe as nuk mund të ecë.

Ajo thekson se me burrin e saj në këtë gjendje, kanë kaluar dy javë në depon e apartamentit në ditët e para të luftës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mbrëmje e keqe për Xherdan Shaqirin, largohet nga loja në minutën e 22-të

Story i radhës

Sllavi Trifonov: E lëshova qeverinë për shkak të Maqedonisë së Veriut

Të fundit nga