Ukrainasit zgjodhën vdekjen në vend të robërisë, Putini po shfrenohet

March 16, 2022
min lexim

Në fillim të bombardimeve të Aleancës Veriatlantike (NATO) mbi Serbinë (1999), një gazetar i të përditshmes prestigjioze “New York Times”, e kishte pyetur gjeneralin e forcave të armatosura të NATO-s, nëse Sllobodan Millosheviqi do të kapitullojë shumë shpejt. Gjenerali i kishte thënë gazetarit se ata e vlerësojnë lart armikun, nuk e nënçmojnë. Historia mijëra vjeçare ka dëshmuar se ata që kanë nënçmuar strategjinë e armikut, kanë humbur betejat. Sipas gazetës gjermane “Frankfurt Zeitungen”, presidenti rus, Vladimir Putin, duke e mitizuar superioritetin e popullit rus si superfuqi botërore dhe duke e nënvlerësuar armikun, është duke dështuar në frontet e luftës. Në shumicën e medieve botërore shprehet hapur mahnitja nga rezistenca, heroizmi, uniteti e patriotizmi i një populli, siç janë ukrainasit, që janë të gatshëm të vdesin për lirinë e vendit të tyre, sesa të jenë robër të një despoti që po bën terror dhe gjenocid, duke vrarë gra, pleq e fëmijë.

Despoti i acaruar, Putini, është i frustruar si një tigër, sidomos kur merr plagë, bëhet edhe më i egër. Ai është nisur me moton: “Ose fitore ose vdekje!”, ndaj dhe vështirë se do të ndalet. Bisedimet që po zhvillohen mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës, me shpresën për ndalimin e luftimeve, mbase, në prapavijë ekziston një manovrim për të fituar kohë. Lufta do të vazhdojë, shkruajnë analistët botërorë. Prandaj bota perëndimore po vazhdon ta ndihmojë Ukrainën, pos të tjerash, edhe me armatim për vetëmbrojtje, në njërën anë dhe, në tjetrën, duke vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, e cila pëson dëme të mëdha në miliarda dollarë.

Edhe nëse fiton Putini, ajo do të jetë fitore e Pirros. Cari autokrat, pas rrëzimit eventual të presidentit Vladimir Zelenski, që është kthyer në mit, si Çe Gevara, mund ta mposht popullin e Ukrainës. Sipas analistëve, duke vazhduar luftën, Putin mund të përjetojë vlime brenda shtetit të vet dhe të pësojë një puç. Shumë liderë në Perëndim dhe në botë kanë frikë për atë se kush mund të trashëgojë Putinin, pas rënies së tij eventuale. Shumica e diplomatëve frikohen që të mos vijë ndonjë prototip i Car Ivanit ose ndonjë stalinist i përbetuar. Ka disa opsione dhe skenarë, që parashohin një luftë qytetare, që do të pasonte me shpërbërjen e Federatës Ruse dhe një kaos i vërtetë shtetëror, me armatimin bërthamor. Në anën tjetër, rusët kanë krizë demografike, me popullatë të moshës së shtyrë, me mbi 30 milionë tatarë, çeçenë, kozakë myslimanë dhe mbi 20 minoritete që kanë diversitet kulturor e gjuhësor. Rusia është një shtet me një sipërfaqe më të madhe në botë, me mbi 600 milionë banorë.

MIQËSIA E PUTINIT ME MERKELIN

Është populli që vendos për fatin e vet, se kush do të qeveris. Siç është populli, të tillë janë edhe liderët, që dalin nga gjiri i tij. Në botën perëndimore nuk mund të vijë në pushtet një lider autokrat, si Putini. Sipas një sondazhi, 75 për qind e popullatës ruse po e përkrahin Putinin. Një korrespondent gjerman në Moskë ka thënë se Putinin e përkrah edhe Kisha Ortodokse, me gjithë Patriarkun. Shoqëria ruse fenë e ka si traditë. Shkrimtari rus ka shkruar se Cari rus dhe klerikët fanatikë, kanë përlyer duart me gjak. Gjithë fati i popullit rus është në duart e elitës cariste dhe patriarkut.

Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, një lord anglez, pas kthimit nga Berlini, kishte folur në parlamentin britanik në Londër. Ai kishte pranuar se ishte i entuziazmuar nga fjalimet dhe oratoria e Hitlerit. Kishte thënë për të se është një burrështetas, lider, pragmatik, reformator dhe karizmatik. Po kjo gjë kishte ndodhur shumë dekada më vonë, në Bruksel. Disa diplomatë konsideronin Putinin si një lider të moderuar e liberal. Putini u tregua shumë i shkathët, por si mashtrues. Ai ishte miku i ngushtë i kancelarit gjerman, Gerhard Schreder (1999-2005), sikundër edhe me zonjën e hekurt, Angela Merkel, me të cilën kishte miqësi të ngushtë. Merkel fliste rrjedhshëm rusisht, ndërsa Putini, gjermanisht. Putini, një agjent i KGB, kishte shumë eksperiencë që të mashtrojë, duke paguar agjentë dhe spiunë, për të ardhur populistët dhe ultranacionalistët në pushtet, për ta përçarë BE-në. Me sulmin ndaj Ukrainës, Putin po e teston SHBA-në dhe BE-në. Si çdo luftë, edhe kjo, e ka fundin. Por askush s’di se si do të përfundojë. Populli i Ukrainës do të pësojë një tragjedi të madhe, sikundër edhe populli rus, që do t’i mbajë pasojat.

disa analistëve perëndimorë, pas invadimit të trupave ruse në Ukrainë, më 24 shkurt, s’do të mbetet çdo gjë sikur që ishte. Do të ketë ndryshime edhe në Ballkanin Perëndimor, do të ketë disbalance gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Megjithëse NATO, SHBA dhe BE s’do të lejojnë të përsëritet në Ballkan ajo luftë e përgjakshme që ndodhi në Bosnjë dhe Kosovë. Makineria ushtarake serbe bëri kërdi dhe gjenocid mbi popujt jo serbë. Narrativi i Brukselit është që të përshpejtohet procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ngjashëm si në fillim të këtij shekulli, kur u pranuan Rumania dhe Bullgaria.

Ç’THA MINSITRJA E JASHTME GJERMANE PËR KOSOVËN

Vizita e ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në Sarajevë dhe Beograd, ishte një mision i posaçëm, sidomos për këtë të dytin, për të cilin kishte sjellë pesë mesazhe, që vlejnë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

-Ballkani Perëndimor, pas invadimit ushtarak të Putinit, do të jetë më e pavarur dhe do të jetë në krahë të BE-së, me zgjidhje alternative të furnizimit me gaz;

-Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar do jenë aktorë kryesorë e të rëndësishëm, duke paguar edhe haraçin që të shkëputen nga influenca ruse;

-Beogradi do të detyrohet që të mos ulet në dy karrige, duke u detyruar që të zgjedhë njërën anë;

-Të mos ketë ndryshim kufijsh në Bosnjë dhe Kosovë, në të kundërtën, do të ishte shkelje sovraniteti dhe integriteti të këtyre shteteve;

-Serbia të mos përkrah liderin nacionalist të Republikës Serbe në Bosnjë, Millorad Dodik, i cili është një vasal i Putinit, si dhe Serbia duhet t’i vazhdojë bisedimet me Kosovën, që duhet të kurorëzohet me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.

* * *

Serbët në të ardhmen duhet të vendosin si në Jalltë, nëse do të shkojnë me Perëndimin apo me Lindjen. Nëse serbët vendosin që të shkojnë me “vëllanë e madh”, Rusinë, atëherë do të jenë brenda një sandviçi armatimesh të BE-së dhe NATO-s. Do të presin në radhë të gjata para ambasadave, për vizë udhëtimi në shtetet perëndimore, si dhe ato të Ballkanit. Nëse kthehet nga Lindja, do të bëhet si Shqipëria komuniste, një bastion stalinist. Njëjtë, siç shkruante edhe shkrimtari ynë, Ismail Kadare, në romanin e tij “Koncert në fund të dimrit”, se “Shqipëria nuk ishte në Evropë, por ishte mes Mongolisë dhe Kinës”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Armët misterioze ruse janë shfaqur në Ukrainë

Story i radhës

​Kërkohet hartimi i ligjit të ri për Shëndetin Mendor

Të fundit nga

ShkoLartë