Qindra njerëz janë mbledhur në Kiev për t’i dhënë lamtumirën një aktivisti të ri ukrainas, i cili u vra duke luftuar në vijën e frontit.
Roman Ratushnyi, 24 vjeç, vdiq të shtunën derisa po luftonte me forcat ruse në Izium, qytet ky që është nën granatimin e pamëshirshëm, shkruan Associated Press.
Ai ishte ndër demonstruesit që kishin ndihmuar në rrëzimin e liderit pro-rus të Ukrainës në vitin 2014 dhe nuk hezitoi të merrte armët kur Vladimir Putin filloi pushtimin e vendit të tij në shkurt.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ishte mes atyre që i bëri homazhe Ratushnyi, duke postuar në Twitter pamje nga tubimi.
“Që nga dita e parë e Maidan, Roman 17 vjeç iu bashkua protestave dhe ishte mes studentëve të rrahur nga policia. Në moshën 24-vjeçare ai vendosi të mbronte Ukrainën nga rusët. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë mbrojtësit tanë trima”, shkroi Ministria.