Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia do të intensifikojë sulmet e saj ndaj vendit të tij në ditët në vijim, ndërsa Kievi pret lajmet për ofertën e saj për t’u bashkuar me BE-në, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Anëtarët e bllokut pritet të vendosin nëse do t’i japin “statusin e kandidatit” Kievit më vonë këtë javë.
Ky veprim do të fillonte procesin e pranimit të Ukrainës në aleancë, i cili mund të marrë vite për t’u përfunduar.
Por Zelensky paralajmëroi se vendimi mund të bëjë që Rusia të shtojë sulmet e saj.
Duke folur gjatë fjalimit të tij të natës nga Kievi, udhëheqësi ukrainas tha se ai dhe këshilltarët e tij presin “aktivitet më të madh armiqësor” nga Moska, por u tha qytetarëve se forcat e tij “po përgatiten” dhe janë gati për çdo sulm të rinovuar.
Ai u zotua të shtyjë përpara me ato që ai i quajti ambiciet “historike” të Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në, të cilat u miratuan nga ekzekutivi i bllokut, Komisioni Evropian, javën e kaluar.
Por tani vendimi i takon Këshillit Evropian, një organ i përbërë nga krerët e shteteve anëtare, i cili do të takohet në një samit në Bruksel të enjten dhe të premten.
“Unë mendoj se është e qartë për të gjithë se që nga viti 1991 ka pasur pak vendime të tilla fatale për Ukrainën siç presim tani,” tha Zelensky, duke iu referuar vitit kur Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Dhe unë jam i bindur se vetëm një vendim pozitiv përmbush interesat e të gjithë Evropës.
Kievi aplikoi për t’u bashkuar me BE-në vetëm katër ditë pasi Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt.