Ukraina ka refuzuar një kërkesë të Rusisë për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit më 21 mars, derisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë thirrje sërish për negociata me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Luftimet vdekjeprurëse kanë vazhduar në Mariupol – qytet strategjik i Ukrainës, ndërsa për bombardime është raportuar edhe në një qendër tregtare në Kiev, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën tetë persona.
Banorët e Mariupolit, i cili ka pasur një popullsi prej 400,000 banorësh para shpërthimit të luftës, është bllokuar në dy javët e fundit, pa furnizime të ushqimit, ujit dhe karburanteve.
Rusia synon të marrë kontrollin e qytetit, çka më pas do t’i mundësonte lidhjen me Krimenë, gadishull të cilin e ka pushtuar më 2014, dhe me pjesën tjetër të lindjes të Ukrainës, të kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Kremlini.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, ka thënë më 21 mars se kanë njoftuar palën ruse se nuk do të dorëzohen, mirëpo Rusia nuk ka njoftuar se çfarë masa do të marrë në rast të refuzimit të propozimit për dorëzim.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Rusia është duke kryer “krim masiv të luftës”, duke sulmuar qytetin ukrainas, Mariupol, i cili ka qenë i rrethuar për disa javë.
“Ajo që po ndodh tani në Mariupol është krim masiv i luftës, duke shkatërruar gjithçka, duke bombarduar dhe duke vrarë secilin”, ka thënë Borrell në fillim të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Blloku prej 27 kombesh do të diskutojë sanksione të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë embargo të naftës dhe mundësi të largimit të më shumë bankave nga sistemi financiar SWIFT.
Më 20 mars, një qendër tregtare afër qendrës së Kievit është shkatërruar nga bombardimet ruse dhe tymi nga ajo ka vazhduar të dalë edhe në mëngjesin e 21 marsit.
Shërbimet e emergjencës kanë raportuar për të paktën tetë viktima.
Rusia mohon se shënjestron civilët, pavarësisht të dhënave për sulme vdekjeprurëse në zona joushtarake.
Zelensky dhe zyrtarë tjerë ukrainas kanë akuzuar Moskën për krime lufte pas bombardimit të një shkolle.
Megjithatë, lideri ukrainas ka bërë thirrje për negociata me Putinin, në një intervistë të realizuar me kanalin televiziv CNN më 20 mars.
“Jam gati për negociata me të”, ka thënë Zelensky, teksa pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në javën e katërt.
“Mendoj se pa negociata ne nuk mund t’i japim fund luftës”.
“Nëse ekziston vetëm një për qind mundësi që ne t’i japim fund luftës, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë rast, të kemi mundësinë e negociimit dhe të kemi mundësinë e bisedës me Putinin”, ka thënë ai.
“Nëse dështojnë këto tentime, kjo do të nënkuptonte luftë të tretë botërore”.
Zelensky e konsideron Jerusalemin “vend të duhur” për bisedime
Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në të ardhmen mund të jetë vend nikoqir i negociatave të nivelit të lartë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Kryeministri i Izraelit, (Naftali) Bennett është duke tentuar të gjejë zgjidhje për mbajtje të bisedimeve”, ka thënë Zelensky nëpërmjet një video-adresimi.
“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tij dhe herët apo vonë ne do t’i nisim bisedimet me Rusinë, me mundësi në Jerusalem”.
“Ky është vendi i duhur për të gjetur paqe, nëse është e mundshme”, ka thënë ai.
Komentet e Zelenskyt janë bërë pasi ai i është adresuar Parlamentit të Izraelit – nëpërmjet video-linkut – të dielën.
Por, Kremlini ka thënë të hënën, 21 mars, se nuk ka asnjë përparim të madh në bisedimet për paqe në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
Duke folur para gazetarëve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se duhet arritur përparim i madh në bisedime, para se të jetë i mundshëm takimi i presidentit rus, Vladimir Putin, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Filippo Grandi, shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, ka thënë në Twitter se të paktën 10 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda apo jashtë shtetit të tyre që prej shpërthimit të luftës.
Ukraina, para luftës, ka pasur një popullsi prej 44 milionë banorësh.
Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të udhëtojë këtë javë në Evropë për të diskutuar me zyrtarë të NATO-s për luftën në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas kanë ftuar Bidenin që ta shohë situatën në Ukrainë me sytë e tij, mirëpo Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti nuk ka plane për të vizituar vendin e shkatërruar gjatë vizitës së tij në Evropë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./Rel/