Ukraina tha se ka kryer një tjetër këmbim të burgosurish “në shkallë të gjerë” me Rusinë, duke shtuar se të gjithë të liruarit janë gra.
Kjo është hera e parë që Kievi dhe Moska këmbejnë të burgosura gra qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit.
Andriy Yermak, kreu i Zyrës presidenciale, tha në Telegram se këmbimi ndodhi më 17 tetor dhe janë liruar 108 gra.
“Nënat dhe motrat ishin në burg, dhe familjarët e tyre po i prisnin”, tha Yermak. Në mesin e të liruarave ishin edhe 37 gra që kishin qenë të bllokuara në fabrikën e çelikut të Azovstalit, në Mariupol, kur forcat ruse dhe ato ukrainase zhvilluan luftime.
Qyteti-port i Mariupolit ra nën kontrollin rus në muajin maj.
Shumica e grave ishin anëtare të forcave të armatosura të Ukrainës. Yermak postoi një fotografi të grave duke ecur në një rrugë dhe shumica nga to ishin të veshura me uniforma.
Disa nga gratë ishin kapur para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt.
Yermak shtoi se gratë do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe më pas do të kthehen te familjet e tyre.
Ai nuk dha detaje sesa të burgosura ka liruar Ukraina.
Këmbimi i fundit i të burgosurve midis Kievit dhe Moskës ndodhi më 13 tetor. Atëbotë, 20 ushtarë ukrainas u liruan. Po ashtu, më herët ishin liruar edhe 32 të burgosur të tjerë./REL