Ukraina po përshpejton ngritjen e fortifikimeve, ndërsa ndryshon strategjinë e saj ushtarake ndaj Rusisë, për t’u përqëndruar më shumë tek mbrojtja. Forcat ruse kanë shtuar sulmet ndaj qyteteve lindore si Kupiansku dhe Ukraina po reagon duke fortifikuar zonat përreth, ndërsa fiton kohë për të ripërtërirë njësitë ushtarake që do të përballojnë ofensivën e re të Rusisë.
Pengesat kundër tankeve, të ashtuquajturat “dhëmbët e dragoit” dhe telat me gjemba mbulojnë fushat në verilindje të Kupianskut. Kur ka mjegull dhe gjatë orëve të natës, ushtarët ukrainas punojnë për të hapur llogoret ku edhe banojnë vetë. Gjatë gjithë kohës në sfond dëgjohet artileria.
Për arsye sigurie, vendndodhjet e sakta të llogoreve nuk bëhen publike.
“Këtu pas meje mund të shikoni fortifikimet me ‘dhëmbë dragoi’ dhe tela me gjemba. E gjitha kjo alternohet me fusha të minuara. Është një strukturë shumë e thjeshtë, por efikase, për të ndalur këmbësorinë dhe mjetet e rënda të armikut”, thotë Maksimi, oficer në batalionin 123 të brigadës mbrojtëse të Kharkivit.
Ai thotë se fortifikimet ndihmojnë edhe artilerinë ukrainase që të godasë forcat ruse me saktësi.
“Është sistem shumë efikas dhe shumë i kuptueshëm. Njësitë tona të artilerisë dinë saktësisht se ku gjenden fortifikimet. Sapo të afrohen personeli dhe mjetet e armikut, ata do të jenë në gjendje të reagojnë me shumë shpejtësi dhe efektshmëri”, thotë Maksimi.
Ushtarët thonë se furnizohen rregullisht me lëndën e drurit dhe trarët që iu nevojiten për llogoret.
“Vazhdojmë të hapim llogoret sa më shumë të mundemi. Gërmojmë sa kemi ende kohë. Nëse jo, armiku do të vijë dhe do ta ketë kollaj. Siç është shprehja, sa më thellë të kesh gërmuar, aq më shumë mund të qëndrosh gjallë”, thotë ushtari me pseudonimin “Kandahar”.
Ndërsa bisedojnë me njëri-tjetrin brenda llogoreve, ushtarët ukrainas flasin për mungesat në predha artilerie dhe rekrutë të rinj. Ata i bëjnë thirrje perëndimit për më shumë furnizime dhe të rinjve ukrainas që të vazhdojnë t’i bashkohen ushtrisë për të ndihmuar në këto përpjekje kundër forcave ruse, ndërsa zotohen se do ta mbajnë qytetin e tyre deri në fund.
“Kupiansku po mbahet dhe do të mbahet. I kemi gjërat nën kontroll. Jemi këtu dhe asnjëri nuk do të largohet”, thotë ushtari Andrii.
Ndërsa ushtarët e batalionit 123 vazhdojnë punimet për të fortifikuar qytetin e tyre, pjesë të pashpërthyera të raketave ruse dallohen në shumë rrugë përreth Kupianskut./VOA