Ukraina mbron gjithë Evropën

February 28, 2022
min lexim

Kur Napolon Bonaparti filloi pushtimin e Evropës, kishte aleatë dhe popuj që e konsideronin si çlirimtar. Po ashtu, kur Hitleri filloi Luftën e Dytë Botërore, kishte bërë Traktatin e boshtit Berlin-Romë-Tokio. Vladimir Putini filloi luftën me Ukrainën pa asnjë aleat, që rezultoi të jetë vetë kundër të gjithëve. Madje, edhe disa diktatorë despotikë në botë, të cilët në shumë shtete qeverisin me dorë të hekurt, janë kundër këtij Cari të çmendur rus, pos Asadit, presidentit venezuelas, Munduru dhe nacionalistit ultra-ortodoks serb, Vuçiq. Pushtimin e një shteti pacifist e demokratik të Ukrainës, e ka dënuar gjithë bota. Putini dhe Kremlini nuk ka pasur përkrahje as nga aleatët e vet, Kina dhe India. Këto dy shtete, në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara kanë abstenuar. Ka pasur dhe shtete që kanë insistuar, nëse Putini nuk e ndal luftën, Rusia të përjashtohet nga OKB-ja. Putini me elitën politike të Kremlinit kanë mbetur të izoluar dhe më të urryer. Ai krahasohet me despotët, tiranët dhe diktatorët më famëkeq, si Xhingistani, Hitleri, Stalini dhe Polpoti.

Në çdo luftë ka pasur fraksione, kuislingë dhe tradhtarë të kombit. E gjithë bota është fascinuar me rezistencën, vullnetin, patriotizmin e popullit ukrainas kundër barbarisë anti-civilizues në këtë çerek shekulli. E gjithë bota ka simpati dhe solidaritet ndaj këtij populli hero, demokrat e liridashës. Populli ukrainas nuk mbron vetëm atdheun e vet, por mbron gjithë Evropën. Për popullin ukrainas është lavdi dhe vdekja është sublime kur është fjala për kauzën e mbrojtjes së atdheut.

PLANI I DËSHTUAR I KREMLINIT

Sipas Putinit dhe elitës së gjeneralëve, plani i pushtimit të Ukrainës ka qenë që ky invadim të përfundojë brenda 70 orëve, gjë që është publikuar në më shumë media të Serbisë. Lufta është duke vazhduar, por, njëherësh, Kremlini ka ofruar bisedime, në një qytezë në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Bellorusisë. Pas shumë peripecive dhe taktikave, tash Putini është detyruar të ulet në bisedime. Sipas analistëve të huaj, tërheqja eventuale pas bisedave e trupave të Rusisë, me shumë viktima dhe humbje në armatim, do të ishte një debakël dhe humbje kredibiliteti të vetë Putinit dhe Rusisë. Putinit tashmë nuk i beson asnjë lider botëror. Ai nëse shkon me sulmet deri në fund, do të jetë tragjike për popullin ukrainas, nëse kapitullon dhe zgjedh qeveri kukull, që do të ishte nën diktatin rus. Nëse Rusia arrin ta pushtojë tërë Ukrainën, shtetin e dytë për nga madhësia, pas Rusisë, me 45 milionë banorë, me orientim pro-perëndimor, ndërsa në të kaluarën ka pasur një histori të dhembshme, kur në periudhën e Stalinit 1928-1938, kanë vdekur nga uria afër 8 milionë banorë, po aq sa edhe në Luftën e Dytë Botërore, do të jetë pak e besueshme se ky popull do të durojë të jetojë nën thundrën dhe tutorinë e regjimit të instaluar nga Kremlini. Në ditët në vijim, Putini mund të ketë mundësi që ta pushtojë tërë Ukrainën, por nuk do të mund ta mbajë nën pushtim gjatë kohë. Në të ardhmen mund të ketë zonë-tamponi në kufi me Perëndimin, Poloninë dhe Sllovakinë, andaj ukrainasit mund të zhvillojnë një luftë guerile, që mund të zgjasë shumë si në rastin e Afganistanit, ndërsa do të rrezikohej edhe siguria e Polonisë dhe Sllovakisë, ndonëse ato janë nën ombrellën e NATO-s.

Ekspertët paraqesin disa skenarë të ngjarjeve. I pari, është ai i bisedimeve. Kremlini mund të gjejë një kompromis me Kievin, për mos anëtarësim në NATO dhe zbatim të neutralitetit të Ukrainës dhe të provincave të okupuara nga separatistët rusë, të cilat do të mund të fitonin një autonomi apo republikë në kuadër të federatës së Ukrainës. Skenari i dytë, do të ishte më i kobshëm. Putini mund të dalë fitues në luftë, duke sfiduar botën perëndimore se mund të përdorë raketat bërthamore, ku e gjithë bota do të pësonte. Për epilog do të kishte rikthimin e Ukrainës, Bellorusisë, republikat ish-sovjetike, Kazakistanin, Ozbegistanin, Turkmenistanin, Azerbejxhanin etj., ndërsa Evropa do të mbetej me Luftën e Ftohtë, me shumë tensione dhe me rreziqe të vazhdueshme nga ekspansioni rus ndaj ish kampit komunist.

FUNDI I EPOKËS SË PUTINIT

Despoti dhe ariu siberian, i dëmshëm edhe për rusët, duke hyrë kryq e tërthorë gjithë Rusisë, ka eliminuar opozitën, megjithatë, në sajë të propagandës ka arritur të fitojë përkrahjen e shumicës së popullit rus, madje edhe në këtë luftë gjen mbështetje se me të mbron Rusinë nga “agresorët perëndimorë”. Në Rusi ka pasur protesta nëpër shumë qytete, por një numër bukur të madh të tyre i ka burgosur policia.

Me humbjen eventuale të luftës me Ukrainën, për Putinin kjo do të jetë lufta e tij e fundit dhe përfundimi i epokës së tij të mbajtjes së pushtetit. Humbja e pushtetit nga Putini, do të sillte një rend të ri botëror. Evropa impotente, e përçarë pas luftës, do të marrë leksione të duhura, për të ngritur një kohezion të mirëfilltë, ku do të dilte në skenën politike një Çurçill i ri, që do ta bashkonte kontinentin. Me këtë do të përshpejtohej edhe hyrja e shteteve të mbetura të Ballkanit në BE. Do të dobësohej e djathta populiste, që gjente përkrahje te Putini.

Sipas analistëve të Beogradit, pas mbarimit të epokës putiniste, Serbia do të mund të hynte më lehtë në BE dhe NATO dhe do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. U pa qartë se në këtë luftë të Rusisë me Ukrainën, Evropa si asnjëherë më parë u tregua unike në vlerësime dhe veprime të shpejta. Humbja e luftës me Ukrainën, do të bënte të mundur vazhdimin e procesit të demokratizimit të Rusisë dhe Bellorusisë, ngase 50 për qind e popullatës kanë lindur pas Luftës së Ftohtë. Gjeneratat e tashme ruse kanë më shumë informacione për botën progresive nëpërmjet rrjeteve të internetit, sidomos ecjen përpara të ish-shteteve të kampit komunist në Evropën Lindore, si të Polonisë, Sllovakisë, Çekisë, Hungarisë dhe Rumanisë, ku njerëzit kanë krijuar një begati dhe jetojnë më mirë se rusët.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

ShBA-ja del me vendim për Ambasadën e saj në Bjellorusi

Story i radhës

Vuçiç viktimizohet: Në 3 ditët e fundit jam plakur më shumë se në 10 vitet paraprake

Të fundit nga

ShkoLartë