Ukraina ftohet të marrë pjesë në grupin e vendeve ASEAN

November 7, 2022
min lexim

Ukraina po forcon marrëdhëniet me vendet e Azisë Juglindore, nëpërmjet nënshkrimit të një traktati të politikës së jashtme me Shoqatën e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) gjatë kësaj jave në Phnom Penh, të Kamboxhias.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleva pritet të nënshkruajë instrumentin e anëtarësimit në Traktatin mbi Miqësinë dhe Bashkëpunimin në Azinë Juglindore (TAC), si dhe të marrë pjesë në disa aktivitete të ASEAN-it.

Ky traktat paqeje u hartua në vitin 1976 nga vendet themeluese të ASEAN-it për të sanksionuar parimet kryesore, si respektin e ndërsjelltë për sovranitetin, integritetin territorial dhe identitetin kombëtar të vendeve anëtare.

Vendimi i matur diplomatik nga 10 vende anëtare të ASEAN-it për të ftuar Ukrainën, një vend që nuk ndodhet në Azinë Juglindore, nuk prezumon që ASEAN-i do të ketë detyrimin për t’i ofruar ndihmë materiale apo financiare vendit të përfshirë nga lufta.

“Anëtarësimi në traktat nuk krijon detyrimin për ASEAN-in që të ofrojë ndonjë lloj asistence për Ukrainën”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë kamboxhian. “Traktati është një kod sjelljeje në zbatimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe jo një marrëveshje për t’i ofruar asistencë ndokujt”.

Që nga gushti 2022, 49 vende janë bërë palë e traktatit, ndër to edhe Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Kam kënaqësinë të them se kemi ftuar ministrin e jashtëm të Ukrainës të firmosë në Phnom Penh në kuadrin e takimeve të ASEAN-it”, tha ambasadori i Kamboxhias në Shtetet e Bashkuara, Keo Chhea gjatë një seminari më 26 tetor të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Kamboxhia ka kryesinë e radhës këtë vit në takimin e ASEAN-it dhe në Takimin e Azisë Lindore. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të jetë në Phnom Penh për të përfaqësuar Presidentin Vladimir Putin në Takimin e Azisë Lindore.

Në mars, Kamboxhia dënoi zyrtarisht sulmin rus ndaj Ukrainës dhe mbështeti thirrjet në ASEAN për një armëpushim të menjëhershëm. Mediat rajonale të lajmeve raportuan javën e kaluar se ministria e jashtme e Kamboxhias ofroi të organizojë bisedimet ruso-ukrainase në takimin e ardhshëm, por asnjëra palë nuk ka shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në dialog.

“Prania e Ukrainës në Samitin e Azisë Lindore do të demonstronte rolin udhëheqës të ASEAN-it për zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes në komunitetin ndërkombëtar, si dhe mbështetjen e hershme të ASEAN-it për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha gjatë të njëjtit aktivitet Daniel Kritenbrink, zyrtari më i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Azinë.

Kamboxhia dhe Ukraina ranë dakord për të vendosur marrëdhënie diplomatike pas një telefonate mes Kryeministrit të Kamboxhias Hung Sen dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy më 1 nëntor. Dy vendet do të emërojnë ambasadorë për të forcuar marrëdhëniet.

Kryeministri kamboxhian Hun Sen ra gjithashtu dakord të dërgojë ekipe çminimi, në bashkëpunim me Japoninë, për ta ndihmuar Ukrainën në heqjen e minave tokësore të vendosura nga forcat ruse gjatë pushtimit. Kamboxhia u bë një nga vendet më të minuara në botë gjatë pothuajse 30 viteve të luftës civile që përfundoi në vitin 1998. Në këmbim, Ukraina planifikon të rrisë eksportet e grurit drejt Kamboxhias ndërsa po vazhdon kriza globale e ushqimit.

ASEAN-i nuk ka një qëndrim të unifikuar për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Përveç Singaporit, ASEAN-i ishte kryesisht i heshtur në muajt e parë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit.

Ndërsa shprehën shqetësimin për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, anëtarët e ASEAN-it që mbështeten tek armatimet ruse kanë nguruar të denoncojnë drejtpërdrejt zotin Putin.

Tre anëtarë të ASEAN-it (Vietnami, Tajlanda dhe Laosi) abstenuan në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në tetor që dënonte përpjekjet e Rusisë për të aneksuar rajone të mëtejshme të Ukrainës./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Berisha: Ditmir Bushatin e shkarkoi Erdogani! Nuk do lejojmë që Ankaraja të trajtojë Shqipërinë si një provincë të saj

Story i radhës

Bellingham është objektivi kryesor i Manchester United për vitin 2023

Të fundit nga

Premtimi i Yamalit

“Jam në fazën e rikuperimit dhe jam i sigurt se do të rikthehem më i fortë dhe më i motivuar se kurrë” Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal aktualisht po lufton
ShkoLartë