Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Parisi me SuperSportin dha opinionin e tij edhe Samir Ujkani, tashmë në rol drejtuesi në përfaqësuesen e Kosovës.
Si ju duken kundërshtarët?
Kundërshtarët i njohim, Rumaninë e kemi pasur kundërshtare në edicionin e fundit, edhe Qipron në Nation League më parë.
Jeni i zhgënjyer që do të përballeni sërish me Rumaninë?
Jo, përkundrazi, është kundërshtari më perfekt për ne. Na kanë ndodhur shumë gjëra në ndeshjet me ta. Ne duhet të shohim nga vetja, të gjithë kundërshtarët janë të forte, duhet të përgatitemi sa më mirë.
Mungesa e përvojës ju ka penalizuar në edicionet e fundit, a është momenti për të tentuar diçka të madhe?
Ka ardhur momenti për të nxjerrë maksimumin tonë, lojtarët janë në formë dhe shpresojmë që nga shtatori ta nisim sa më mirë.
Duhet ta fitojmë këtë grup, por të gjithë kundërshtarët janë të fortë, ndaj duhet të përgatitemi sa më mirë.
Patëm probleme të brendshme që trazuan shumë ambientin në eliminatoret e fundit…
Duhet të jemi të gjithë në të njëjtin drejtim, jemi të gjithë si vëllezër.
Kur nuk kemi sukses, bëhemi nervozë, mërzitemi dhe biem në konfikte mes nesh.
Ato janë gjëra që ndodhin në fushë, por nuk ia vlen që t’i bëjmë çështje. Me të gjithë lojtarët jam në kontakt, shpresoj sa më parë të kemi edhe trajnerin dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e shtatorit dhe të marrim maksimumin.