Uashingtoni shqyrton alternativat lidhur me situatën në Ukrainë

min lexim

Shtetet e Bashkuara filluan dërgesat e ndihmave ushtarake për Ukrainën pasi Presidenti Joe Biden tha së fundmi se çdo lëvizje e trupave ruse në Ukrainë do të konsiderohej si një pushtim. Komentet e Presidentit Biden vijnë ndërsa Presidenti Vladimir Putin ka dislokuar më shumë se 100 mijë trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Deri më tani, diplomatët rusë dhe amerikanë kanë rënë dakord që të vazhdojnë të punojnë për të ulur tensionet.

Dërgesa e parë e ndihmave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara mbërriti në Ukrainë, ndërsa diplomatët amerikanë dhe ata rusë ranë dakord të premten që të vazhdojnë të punojnë për të zbutur tensionet lidhur me shqetësimet e një pushtimi rus të ish-republikës sovjetike.

Ambasada amerikane në Kiev thotë se dërgesa prej më shumë se 90 tonë ndihma, përmban armë dhe municione. E gjitha kjo vjen pasi agjencitë britanike të zbulimit paralajmëruan për planet ruse për të instaluar një president pro-rus në Ukrainë, gjë që Moska e mohon.

Duke folur gjatë emisionit “State of the Union” të rrjetit televiziv CNN, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë një mesazh të qartë dhe të unifikuar për Kremlinin.

Image

Antony Blinken

Rusia ka dy rrugë. Është rruga e diplomacisë dhe e dialogut – siç u angazhova me Ministrin e Jashtëm (Sergey) Lavrov javën e kaluar në Gjenevë. Por Rusia ka edhe një rrugë, atë të ripërtëritjes së agresionit të saj dhe pasojave masive për të cilat ka shumë javë që po përgatitemi. Nuk jemi të vetëm në këtë mes. Vendet e G-7, ekonomitë kryesore demokratike në botë janë shprehur qartë. Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shprehur qartë për këtë.

Mes tensioneve në rritje me Perëndimin, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të shtunën pamje filmike që tregojnë anije luftarake ruse, iraniane dhe kineze në stërvitje të përbashkëta ushtarake në Gjirin e Omanit.

Ndërkohë, ligjvënësit amerikanë po peshojnë alternativat për të ulur tensionet në rritje.

I ftuar në emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC, Senatori demokrat Chris Coons, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, bëri thirrje për sanksione amerikane ndaj Rusisë.

Image

Senator Chris Coons

Duhet të miratojmë një projekt-ligj dypartiak, që do të tregojë vendosmëri dhe të vëmë disa sanksione tani. Por sanksionet më të forta, sikurse ato që përdorëm për ta sjellë Iranin në tryezë, duhet t’i përdorim për të përmbajtur Putinin që të ndërmarrë hapin e fundit për pushtimin e Ukrainës.”

Pamjet filmike të publikuara nga Moska tregojnë avionët luftarakë rusë që fluturojnë drejt Bjellorusisë, vend fqinj me Ukrainën, ndërsa zyrtarët bjellorusë thonë se po organizojnë manovra luftarake.

Duke folur të dielën në emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC, Senatorja republikane Joni Ernst, anëtare e Komisionit të Forcave të Armatosura, e kritikoi Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se tani është koha për sanksione të ashpra.

Image

Senatorja Joni Ernst

Deri më tani me këtë administratë ne kemi parë një doktrinë të lehtë, dhe kjo sigurisht që nuk do ta pengojë Presidentin Putin dhe Rusinë që ta pushtojnë Ukrainën. Ndaj, tani duhet të reagojmë me sanksione të ashpra, që t’i tregojmë Putinit se e kemi seriozisht.”

Deri më tani, pika kryesore që bie në sy në negociatat midis Perëndimit dhe Rusisë është këmbëngulja e Kremlinit që Ukraina të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO, diçka e papranueshme nga Shtetet e Bashkuara./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Aksidenti në Bullgari/ Asnjë nga familjarët e viktimave s’kanë marrë ndihmë nga qyteti i Shkupit

Story i radhës

​A do të luajë Neymar kundër Real Madridit? Përgjigjet Pochettino

Të fundit nga