U tradhtua dhe dorëzua te kundërshtarët apo u zhduk vetë? Misteri i i fatit të Ervis Martinajt, çfarë dihet deri më tani?

min lexim

Gjykata ka lënë në burg tashmë efektivin e Forcave Operacionale Jeton Lami pasi dyshohet se ka qenë personi që lëvizte me makinë të shumë kërkuarin e drejtësisë Ervis Martinaj në trekëndëshin Durrës-Laç-Lezhë gjatë periudhës kur ajo kërkohej në kuadër të operacionit “Golden Bullet” pasi Nuredin Dumani tha se i kishte premtuar 500 mijë euro nëse do të vriste Indrit Doklen.

Mësohet se në rrjetë ka rënë edhe një efektiv i RENEA-s, i cili është shpallur në kërkim.

Përpos kësaj dhe denoncimit për zhdukjen e tij, deri më tani nuk dihet asgjë mbi fatin e Ervis Martinajt, i cili gjatë viteve të fundit ka qenë nën shënjestrën e grupeve kundërshtarë që i kanë eliminuar një nga një shokët si edhe të vetë policisë. Kjo e fundit duket sikur ka goditur vetëm grupin e Martinajt dhe asnjë prej kundërshtarëve, edhe pse këta të fundit kanë kryer atentat në mes të qyteteve si Tirana apo Fushë Kruja, siç ishte masakra e fundit ku u vranë tre persona, mes tyre edhe kushëriri i Martinajt, Brilanti.Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?

Në fillim të gushtit ishte xhaxhai i tij dhe nëna që shkuan në komisariatin e Policisë së Kurbinit duke kërkuar nga policia t’i gjenin të afërmin pasi sipas tyre nuk kishin patur kontakt prej disa ditësh. Ata theksuan në polici, sipas dëshmisë së zbardhur nga abcnews.al, se mungesa e kontaktit nga Martinaj ishte konstatuar nga një kushëriri i tyre me banim në Dubai. Ai u kishte thënë se nuk fliste prej disa ditësh me Ervis Martinajn.

Pas këtij denoncimi u shtua edhe më tepër dyshimi mbi fatin e tij si edhe zhvillimet e bujshme në fushën e kriminalitetit. Ky denoncim përkon me periudhën kur në Laç iu bë atentat dy personazheve të tjerë, të njohur si persona të grupit të Martinajt. Madje, makina e përdorur prej tyre, një Toyota Land Cruiser e blinduar ishte përdorur shumë shpesh nga Ervis Martinaj duke shtuar dyshimet se objekt i atentatit të Laçit ishte pikërisht ai.

Lëvizjet në Durrës dhe zhdukja

Pak ditë para se familjarët të denonconin zhdukjen e tij, siç raportoi dje Abcnews.al, Ervis Martinaj është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një hoteli me 5 yje në Durrës.

ai ka ndejtur vetëm një natë në këtë hotel dhe dhoma ishte prenotuar në emër të policit Jeton Lami, i cili e kishte sjellë me një makinë tip Audi Q8 në mbrëmje dhe e kishte marrë në mëngjes me një makinë tip “Volkswagen”.

Abcnews mëson se gjatë këtyre dy ditëve, makina në fjalë është parë të lëvizë nëpër rrugët e Durrësit dhe dyshohet se sipër, në vendin e pasagjerit ka qenë pikërisht Ervis Martinaj.

Makina është zhdukur më pas nga kamerat e sigurisë nëpër rrugët e Durrësit dhe ky është pikërisht momenti që prokuroria mendon se korrespondon edhe me kohën kur familjarët kanë kërkuar nga policia e Laçit që t’i gjejnë Ervis Martinajn pas humbjes së kontakteve.

Raportimet në media

Gjatë javës së fundit në media ka patur raportime kontradiktore në lidhje me fatin e Ervis Martinajt, të cilat shkonin deri te versioni i kapjes dhe eliminimit të tij nga kundërshtarët. Policia dhe prokuroria nuk shprehen ende në lidhje me këtë version pavarësisht insistimit të mediave.

Nga ana tjetër, prokurorët dyshojnë se polici i arrestuar Jeton Lami nuk po i tregon në gjitha çfarë di në lidhje me vendet ku ka shoqëruar Martinajn si edhe me fatin e tij. Mbetet mister fakti nëse Martinaj është gjetur nga kundërshtarët apo edhe zhdukur vetë për t’i shpëtuar policisë dhe grupeve kriminale që muajt e fundit e kanë vënë në shënjestër.

Një personazh i bujshëm

Emri i Ervis Martinajt do të përflitej për herë të parë publikisht pas vrasjes së Elvis Doçit në vitin 2013 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjithçka  ndodhi pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” ku në vitin 2013 u vendos bllokimi i lojërave të fatit. Prokuroria dyshoi atëhere se vrasja e ndodhur pak javë më pas në zonën e Komunës së Parisit kishte lidhje me këtë operacion dhe një ndër të dyshuarit ishte pikërisht Martinaj.

“Stacioni” tjetër i bujshëm i Martinajt ishte edhe vrasja e Enton Nikës në Linzë në tetor të vitit 2015. Martinaj ishte i shoqëruar nga Mirsad Kuçana, Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani. Pas një debat verbal dhe grushteve, personat që shoqëronin Martinajn qëllojnë ndaj Nikës duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja tjetër e bujshme ishte masakra e tetorit 2018 në ish-Bllok ku Martinaj u plagos në qafë, ndërkohë që mbeti i vrarë një prej personave që e shoqëronin atë, Fabian Gaccaj. Gjithçka ndodhi pas një sherri me Ervin Matën ku i pranishëm ishte edhe ish-ushtari i Forcave Speciale BOS, Merviol Billo. Ky i fundit është ende në arrati.

Që prej kësaj periudhe, Ervis Martinajt i janë vrarë një numër i madh personazhesh që njiheshin si “njerëzit e tij”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Duka: Faleminderit për vajzat e Kosovës që luajnë me Shqipërinë

Story i radhës

Ademi: Ballkanit i uroj fat në shortin që tërhiqet në orën 14:30 

Të fundit nga