Bordi i drejtorëve të KRU “Hidrodrini” ka shkarkuar më 31.07.2024 Dri Cenën nga pozita e kryeshefit ekzekutiv.
“Nuk janë të vërteta, janë të pabaza krejt ato sa i përket të kundërligjshmeve por për shkak të interesave personale dhe sendeve të tjera që nuk iu kanë ecë edhe e kanë marrë atë vendim, e kanë pasë atë mundësi” – deklaroi Cena i pyetur rreth arsyeve të shkarkimit të tij të dhë nga bordi i drejtorëve.
Cena kur u pyet se cilat janë interesat personale të bordit nuk pranoi të komentojë, me arsyetimin se “është pak herët me folë për to por flasim nesër ose pasnesër”.
Ai kundërshtoi deklaratën e bordit se i dha vetës dhe zyrtarit kryesor financiar kundërligjshëm pagesë për punë jashtë orarit.
“Jo more, nuk qëndron ajo, s’ka lidhje, është e pabazë krejt” – shtoi Cena.
Tanimë ish-kryeshefi i “Hidrodrini”-t tha se do të dalë me komunikatë dhe se gjithçka do të sqarohet.
“Dal unë nesër me një komunikatë të përgjithshme dhe sqarohen krejt” – përfundoi Cena.
Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka deklaruar se për shkarkimin e Cenës arsye ishin performanca e tij e dobët si dhe disa veprime të kundërligjshme që sipas tyre ka ndërmarrë Cena sa ishte kryeshef ekzekutiv.